1.4 C
New York
Monday, December 22, 2025

Buy now

Kurti në Pejë premton investime në infrastrukturë, shëndetësi dhe mbrojtje

- Advertisement -

Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar sot fushatën zgjedhore në komunën e Pejës, ku kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka shpalosur programin e tij qeverisës, duke premtuar investime në infrastrukturë rrugore, shëndetësi, banim social dhe zhvillim ekonomik.

Gjatë tubimit me simpatizantë, Kurti premtoi përfundimin e magjistrales së Dukagjinit, ndërtimin e rrugës Deçan–Plavë dhe finalizimin e rrugës Dollc–Gjakovë. Ai theksoi se këto projekte do të përmirësojnë ndërlidhjen e rajonit dhe do të ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të zonës.

Kurti u zotua gjithashtu për zgjerimin e shërbimeve shëndetësore në Pejë, përfshirë hapjen e një poliklinike specialistike, duke theksuar se shëndeti publik mbetet prioritet dhe nuk do të privatizohet. Po ashtu, ai paralajmëroi ndërtimin e sistemit të ngrohjes qendrore me energji termike.

Në kuadër të politikave sociale, kandidati i Vetëvendosjes premtoi ndërtimin e çerdheve të reja, mbështetje për gratë dhe studentët, si dhe banim të përballueshëm dhe social. Ai përmendi edhe investime në trajtimin e ujërave të zeza dhe masa për rikthimin e popullsisë në këtë komunë.

Kurti foli edhe për zhvillimin ekonomik dhe turizmin në Pejë, duke theksuar mbështetjen për zejtarët, ndërtimin e muzeut të qytetit dhe zhvillimin e turizmit shëndetësor, malor dhe agroturizmit, si dhe forcimin e bujqësisë lokale.

Në nivel qendror, Kurti premtoi investime prej një miliard eurosh për ushtrinë e Kosovës dhe një miliard euro për prodhimtarinë, si dhe pensionim të parakohshëm për pjesëtarët e Policisë së Kosovës, përshpejtim të gradimeve dhe krijimin e rezervave vullnetare të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në fund të tubimit, Kurti ftoi qytetarët e Pejës që të angazhohen në fushatë deri në ditën e zgjedhjeve dhe t’i japin mbështetje Lëvizjes Vetëvendosje.

Të ngjashme

Të fundit