8.8 C
New York
Saturday, November 16, 2024

Buy now

Kurti në parakalimin e FSK dhe Policisë në 25-vjetorin e çlirimit: Parakalimi i juaj sot na mbush me krenari dhe na jep ndjena sigurie

- Advertisement -

 

Me parakalimin e njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe të Policisë së Kosovës në sheshet qendrore të Prishtinës, praninë e figurave eminente, si dhe në mesin e mijëra qytetarëve të Republikës së Kosovës, u shënua sot 25-vjetori i Çlirimit të vendit.

 

Në këtë ngjarje tejet të rëndësishme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij tha se parakalimi i tyre sot na mbush me krenari dhe na dha ndjena sigurie.

 

“Sot, ritmi i hapave tuaj e i zhurmës së çizmeve që i keni mbathur, na kthehet në ritëm të zemrave tona të neve që ju shohim me kaq admirim dhe nderim. Armët që ju i mbani shtrënguar në duar, këto armë aq të llojllojshme dhe kaq moderne, shumë prej të cilave na i tregoni sot për herë të parë, janë zgjatime të vet duarve tuaja të fuqishme në gatishmërinë e përhershme të secilit prej jush, për ta mbrojtur rendin dhe ligjin, kushtetutshmërinë dhe sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës dhe dinjitetin e qytetarëve’’, u shpreh ai.

 

Me ndjesitë e kësaj dite të veçantë, kryeministri u shpreh shumë i gëzuar për përparimin e madh dhe të shpejtë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo, siç tha ai, është arritur si rezultat i investimeve dhe punës sonë të përbashkët veçanërisht gjatë tri viteve të fundit, gjatë të cilave buxheti për ushtrinë është më shumë dyfish më i lartë; janë rekrutuar 1852 ushtarë të rinj, të cilëve këtë vit do t’iu bashkohen edhe 600 rekrutë të tjerë; investimet në armatime janë trefishuar, dhe tani ushtarët janë të pajisur edhe me armë kalibrash të rëndë; me mijëra tyta artilerie dhe deri me dronët Bayraktar, të cilëve së shpejti do t’iu shtohet edhe sistemi amerikan raketor antitank “Javelin”.

 

“Ushtria e Kosovës nuk ka qenë kurrë më e madhe se sot dhe më e mirëarmatosur dhe pajisur; kurrë nuk ka qenë më e stërvitur dhe më e trajnuar e shkolluar nëpër akademitë ushtarake më prestigjioze të ushtrive mike perëndimore. Por, edhe kurrë nuk ka qenë më e fuqishme dhe më e gatshme për ta mbrojtur territorin dhe sovranitetin e shtetit tonë dhe jetët e qytetarëve tanë. Sepse ky është misioni i saj, ta mbroj Kosovën dhe të zhvillohet e të avancojë krah aleatëve tanë, për ta ruajtur paqen dhe sigurinë në vend, në rajon dhe në botë”, tha ai.

 

Për këtë, kryeministri u shpreh se nuk mund të ishte ndryshe, sepse Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës që në krye si prijës dhe si shembull e kishte Adem Jasharin.

 

“Ajo UÇK që po kështu me pak armë të vogla personale e filloi luftën për çlirim, por me vullnet të pathyeshëm e arriti atë 25 vjet më parë, bashkë me aleatët tanë. Të dashur ushtarë: trashëgimia e gjithë çfarë përfaqëson Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sot është e përbashkuar mes jush te Forca e Sigurisë së Kosovës dhe te komandanti i saj e i juaji e i yni, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, nipi i Ademit e i Hamzës”, nënvizoi kryeministri.

 

Në fjalën e tij, ai tha se do të dëshironte që në këtë ditë kaq të rëndësishme për vendin dhe popullin tonë, kjo paradë e ushtarëve dhe policëve të Kosovës, të na shërbejë si një nxitje për t’i ripërtërirë ndjesitë tona për lirinë, që sot pikërisht në 25-vjetorin e çlirimit, para gjithë botës, ta shpallim etikën e lirisë sonë.

 

Për fund, theksoi se liria e Kosovës, rrjedhë nga angazhimi i vazhdueshëm dhe i pandërprerë i të gjitha gjeneratave para nesh, që e ruajtën ëndrrën për lirinë dhe që punuan e sakrifikuan për jetësimin e saj.

 

“Liria e Kosovës erdhi përmes gjakut të dëshmorëve të lirisë dhe martirëve të rënë për të. Liria e Kosovës u arrit mes vuajtjesh të mijëra të burgosurve politikë që kaluan qindra shekuj kohë nëpër burgje me në krye Adem Demaçin. Liria e Kosovës dhe dita e çlirimit të saj, erdhi nga lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Përfaqësues Politik i të cilës ishte pikërisht Baca Adem. Liria e Kosovës erdhi nga ndihma e shteteve aleate të NATO-s, që pasi e bombarduan për 78 ditë Jugosllavinë e Serbisë e Serbinë e Millosheviqit, hynë në Kosovë më 12 qershor 1999. Atë ditë NATO hyri në Kosovë, kurse përditë ne jemi më afër hyrjes në NATO!”, tha kryeministri Kurti para se t’i uroj të gjithë qytetarëve 25-vjetorin e çlirimit, dhe shpreh nderimet më të larta për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës, kudo dhe kurdo.

 

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

 

Shkëlqesia Juaj, znj. Vjosa Osmani-Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

Shkëlqesia Juaj, z. Bajram Begaj, President i Republikës së Shqipërisë,

I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca,

E nderuara Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, Lendita Nikolla,

I nderuari Lord George Robertson, ish Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s,

Shkëlqesia Juaj, z. Stjepan Mesić, ish President i Republikës të Kroacisë, znj. Micheline Calmy-Rey, ish Presidente e Konfederatës së Zvicrës,z. Mate Granić, ish Ministër i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë,

I nderuari miku i madh i Kosovës, ambasadori William Walker, ish udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë,

Zëvendëskryeministra,  ministra e zëvendësministra të Qeverisë, deputetë të Kuvendit të Republikës,

I nderuari Komandat i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari,

I nderuari Komandanti i Gardës së Iowa-s, Gjeneral Stephen Osborn

I nderuari baca Rifat, Rifat Jashari,

Të nderuar invalidë dhe veteranë të Luftës Çlirimtare,

Të nderuara familje të dëshmorëve,

Shkëlqesi ambasadorë dhe miq e mysafirë ndërkombëtarë,

Të nderuar ushtarakë të Forcës të Sigurisë së Kosovës dhe policë të Policisë së Kosovës

Të dashur qytetarë të Republikës,

Zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm,

 

Mijëra qytetarë të vendit tonë janë mbledhur në të katër anët e qendrës së kryeqytetit tonë Prishtinës, për ta shënuar 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Përballë tyre qëndrojmë ne të zgjedhurit aktual tuaj, bashkë me dhjetëra politikanë dhe miq të angazhuar gjeneratash të ndryshme, si për ditën e çlirimit ashtu edhe për ditët e lirisë që  kanë pasuar atë deri më sot. Dhe përpara mes nesh, jeni ju pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ju pjesëtarë të Policisë së Kosovës: kadetë, ushtarë, nënoficerë dhe oficerë.

 

Parakalimi i juaj sot këtu në sheshet qendrore të Prishtinës, na mbush me krenari dhe na jep ndjena sigurie. Sot, ritmi i hapave tuaj, i zhurmës së çizmeve që i keni mbathur, na kthen në ritëm të zemrave tona neve që ju shohim me kaq admirim dhe nderim. Armët që ju i mbani shtrënguar në duar, këto armë aq të llojllojshme dhe kaq moderne, shumë prej të cilave do të na i tregoni sot për herë të parë, janë zgjatime të vet duarve tuaja të fuqishme në gatishmërinë e përhershme të secilit prej jush, për ta mbrojtur rendin dhe ligjin, kushtetutshmërinë dhe sovranitetin, integritetin territorial të Kosovës dhe dinjitetin e qytetarëve të saj.

 

Të dashur ushtarë dhe policë, motra dhe vëllezër, mysafirë dhe miq të Kosovës që na jeni bashkuar duke na nderuar në këtë ditë të rëndësishme që po e shënojmë sot,

 

Jam shumë i gëzuar të shoh bashkë me ju, përparimin e madh dhe të shpejtë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo është arritur si rezultat i investimeve dhe punës sonë të përbashkët shumëvjeçare e veçanërisht gjatë tri viteve të fundit. Është arritur falë më shumë se dyfishimit të buxhetit për ushtrinë; rekrutimit të 1852 ushtarëve të rinj të cilëve këtë vit do t’iu bashkohen edhe 600 rekrutë të rinj; trefishimit të investimeve në armatime, prej nga ushtarët tonë që deri para vetëm pak kohësh kishin vetëm armatim të lehtë personal, tani janë të pajisur edhe me armë kalibrash të rëndë; me mijëra tyta artilerie dhe deri me dronët Bayraktar, të cilëve së shpejti do t’iu shtohet edhe sistemi amerikan raketor antitank “Javelin”.

 

Ushtria e Kosovës nuk ka qenë kurrë më e madhe se sot dhe më e mirëarmatosur dhe pajisur; kurrë nuk ka qenë më e stërvitur dhe më e trajnuar e shkolluar nëpër akademitë ushtarake më prestigjioze të ushtrive mike perëndimore. Por edhe kurrë nuk ka qenë më e fuqishme dhe më e gatshme për ta mbrojtur territorin dhe sovranitetin e shtetit tonë dhe jetët e qytetarëve tanë. Sepse ky është misioni i saj, ta mbroj Kosovën dhe të zhvillohet e të avancojë krah aleatëve tanë, për ta ruajtur paqen dhe sigurinë në vend, në rajon dhe në botë.

 

Dhe, të dashur qytetarë, kjo nuk mund të ishte ndryshe, sepse Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës që në krye si prijës dhe si shembull e kishte Adem Jasharin. Ajo UÇK që po kështu me pak armë të vogla personale e filloi luftën për çlirim, por me vullnet të pathyeshëm e arriti atë 25 vjet më parë, bashkë me aleatët tanë. Të dashur ushtarë: trashëgimia e gjithë çfarë përfaqëson Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sot është e përbashkuar mes jush te Forca e Sigurisë së Kosovës dhe te komandanti i saj e i juaji e i yni, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, nipi i Ademit e i Hamzës.

 

Nëse kthehemi në retrospektivë pikërisht këtu ku jemi sot në Prishtinë, në ditën e çlirimit përveç forcave të armatosura serbe që kishin nisur të tërhiqeshin nga këndej dhe nga tërë Kosova, do t’i shihnim edhe njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga malësia e Gollakut zbritën dhe hynë në Prishtinë. E në krye të tyre, ishte pikërisht Ejup Maqedonci – Uki, që sot e keni dhe e kemi në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, dikasterit të Qeverisë së Kosovës që drejton me ushtrinë tonë.

 

Pra, të dashur ushtarë, po ju drejtohem juve këtu duke e ditur që si asnjëherë më parë, rreth 1/3 e ushtrisë tonë ka zbarkuar sot dhe është rreshtuar në këtë paradë që fillon pas pak në sheshin “Skënderbeu”. Fryma dhe tradita e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përveçse jeton e gjallë në zemrat tona, ajo është e vendosur edhe në krye të ushtrisë së Kosovës, përmes njerëzve të dalë prej vet saj dhe të nxjerrë mes jush. Andaj sa herë që e vishni uniformën ushtarake, kujtojani vetes që po e mbani uniformën pasardhëse të po asaj ushtrie që guxoi ta ëndërronte Adem Jashari dhe për të cilën ai luftoi dhe dha jetën.

 

Të dashur qytetarë,

 

Do të doja që në këtë ditë kaq të rëndësishme për vendin dhe popullin tonë, kjo paradë e ushtarëve dhe policëve të Kosovës, të na shërbejë si një nxitje për t’i ripërtërirë ndjesitë tona për lirinë. Do të doja që sot pikërisht në 25-vjetorin e çlirimit, para gjithë botës, ta shpallim etikën e lirisë sonë. Liria e Kosovës, rrjedhë nga angazhimi i vazhdueshëm dhe i pandërprerë i të gjitha gjeneratave para nesh, që e ruajtën ëndrrën për lirinë dhe që punuan e sakrifikuan për jetësimin e saj. Liria e Kosovës erdhi përmes gjakut të dëshmorëve të lirisë dhe martirëve të rënë për të. Liria e Kosovës u arrit mes vuajtjesh të mijëra të burgosurve politikë që kaluan qindra shekuj kohë nëpër burgje me në krye Adem Demaçin. Liria e Kosovës dhe dita e çlirimit të saj, erdhi nga lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Përfaqësues Politik i të cilës ishte pikërisht Baca Adem. Liria e Kosovës erdhi nga ndihma e shteteve aleate të NATO-s, që pasi e bombarduan për 78 ditë Jugosllavinë e Serbisë e Serbinë e Millosheviqit, hynë në Kosovë më 12 qershor 1999. Atë ditë NATO hyri në Kosovë, kurse përditë ne jemi më afër hyrjes në NATO!

 

Qytetarë të dashur,

Të nderuar të pranishëm,

 

Në historinë e popujve, nuk ka asgjë më me vlerë se liria. Vet historia e një kombi njehsohet nga niveli i vetëdijes së pjesëtarëve të tij për lirinë. Andaj, teksa e kujtojmë ditën e çlirimit të Kosovës në 25-vjetorin e saj, le të punojmë për çdo ditë, që ta bëjmë lirinë tonë sa më cilësore dhe që ta mbrojmë atë nga çdo rrezik dhe kërcënim. Për atdheun tonë të dashur dhe për familjet tona të çmuara; për historinë tonë të lavdishme dhe për të ardhmen tonë të ndritshme; për vendin tonë, për Republikën e Kosovës!

 

Urime 25- vjetori i çlirimit të Kosovës! Urime një çerekshekulli i kaluar në liri. Të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës kudo dhe kurdo, lavdi dhe nderime përgjithmonë.

 

E paçim Kosovën tonë përjetë të lirë dhe prosperuese!

 

Ju falemnderit e gëzuar!

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit