Gjatë ceremonisë së diplomimit të gjeneratës 2025 të kadetëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vlerësoi progresin e bërë në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së.
Ai theksoi përkushtimin e Qeverisë për rritjen e buxhetit dhe investimeve në këtë sektor jetik për sigurinë e vendit.
“E kemi ngritur buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes në 208 milionë euro. Kemi mbi 300 milionë euro investime në këto katër vite të fundit”, tha Kurti.
Ai nënvizoi transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një ushtri moderne dhe profesionale.
“Ushtria jonë po ecën me hapa të shpejtë drejt zhvillimit, me kapacitete të plota si ushtri profesionale”, tha ai.
Kryeministri në detyrë iu drejtua me një mesazh të veçantë kadetëve të sapodiplomuar, duke theksuar rëndësinë e misionit të tyre.
“Kadetë, nga sot ju fillon detyra fisnike. Ju jeni shtylla mbi të cilën do të vazhdojë ndërtimi strukturor dhe profesional i FSK-së dhe që do ta shoqërojë etapën e ushtrisë sonë drejt shërbimit në aleancën veriatlantike të shteteve demokratike, me aleancën e madhe të NATO-s”, tha ai.
Kurti gjithashtu theksoi rëndësinë e integrimit euroatlantik të Kosovës.
“Kosova në aspektin gjeografik, historik dhe politik është Evropë, andaj, pa shmangshëm, jo vetëm i nevojshëm, është anëtarësimi në familjen evropiane demokratike të cilës i takojmë”, tha ai.
Komandantja e Qendrës për Studime Universitare, Mimoza Budeci, në fjalimin e saj gjatë ceremonisë së diplomimit, theksoi rëndësinë e kontributit të brezave të mëparshëm në ndërtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe sakrificën që kërkon ky rrugëtim.
“Ne e kemi këtë status dhe këtë pozicion që sot e kemi, për shkak të kontributit të grave, burrave e djemëve. Këshilli im: djem dhe vajza, në momentin që zgjodhët, nuk zgjodhët një profesion, por një mënyrë jetese që kërkon sakrificë për vendin,” tha komandantja Budeci.
Ndërsa, në emër të kadetëve të diplomuar, kadetja Zana Hashani ndau përvojën personale dhe përkushtimin e brezit të ri për t’i shërbyer vendit me nder dhe përkushtim.
“Ky rrugëtim ishte plot sfida, kemi pasur momente edhe kur kemi dyshuar në vete, por asnjëherë në misionin tonë që të bëhemi oficerë që të udhëheqim me shembull dhe qëllim kryesor shërbim ndaj atdheut. Shpesh më është bërë pyetja pse ke dashur të jesh pjesë e FSK-së. Duke kujtuar historinë e lavdishme të Kosovës, sakrificat e brezave paraprak, krimet barbare që familjet tona përjetuan gjatë luftës, mendoj që pyetja duhet të jetë: si të mos jesh pjesë e FSK-së? Liria e Kosovës është fituar me gjak, nga djemtë e vajzat e UÇK-së, që në ditët më të errëta të popullit tonë bënë çmos për atdheun. Ushtria që ata e ëndërruan është sot realiteti ynë. Detyra jonë tani është që ta mbrojmë lirinë që ata e paguan me jetë dhe të sigurohemi që sakrifica e tyre të mos shkojë dëm,” tha ajo.