9.5 C
New York
Thursday, November 28, 2024

Buy now

Kurti: Na duhet angazhim i përbashkët për të adresuar të shkuarën

- Advertisement -

Rehabilitimi dhe rivendosja e drejtësisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe viktimat e krimeve të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, u theksuan nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në tryezën e organizuar nga Zyra e Kryeministrit në Shënim të Ditës ndërkombëtare për eliminimin e dhunës seksuale në konflikt.

Të dielën, kujtuam e nderuam me homazhe, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, që nuk janë më në mesin tonë. Ato gra e burra që jetuan të rrethuar me heshtje dhe që i humbëm në heshtje, para se të dëgjonim e dokumentonim për krimet e dhunën që përjetuan, tha kryeministri Kurti.

Ai theksoi se heshtja vazhdon të mbështjellë këtë krim e me vitet që kalojnë po qëndron si një mur ndarës që vazhdon të lartësohet, që pengon viktimat e mbijetuara të kërkojnë mbështetjen e kujdesin e merituar, dhe drejtësinë e munguar.

Kujtojmë zonjën Marte Tunaj, e cila vdiq në maj të vitit 2016. E nderojmë zonjën Vasfije Krasniqi – Goodman, Shyhrete Tahiri-Sylejmani, e të gjitha të mbijetuarat, që kanë folur me zë të lartë për këtë krim, për këtë armë lufte, duke u bërë edhe zëri i mijëra grave e burrave të tjerë të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, tha kryeministri Kurti.

Duke theksuar se krimet e luftës nuk parashkruhen, kryeministri tha se të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës kanë nevojë për drejtësi. Andaj nuk mund të ketë amnisti për këtë krim të kryer, këtë armë lufte që e kanë përdorur okupatori serb gjatë luftës në Kosovë, shtoi ai.

Ai potencoi domosdoshmërinë e përkrahjes sonë shoqërore, për të luftuar stigmën e cila i përcjellë të mbijetuarat e të mbijetuarit e dhunës seksuale.

Janë bërë 5 vite prej kur ka filluar punën Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë. Me vendim të Qeverisë, komisionit ia kemi zgjatur mandatin edhe për tri vjet, tha kryeministri Kurti. Ai u bëri thirrje të mbijetuarave, që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre, që është edhe njohje simbolike e dhimbjes së tyre, por edhe e krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë. Veçanërisht u bëri thirrje të gjithë burrave e djemve, që të mbështesin gratë e vajzat në familjet e tyre. Pasi largimi i familjes e ndarja e shoqërisë është një nga efektet shkatërruese, për të cilët dhuna seksuale përdoret si armë lufte.

ࣿNa duhet në vazhdimësi angazhim i përbashkët i institucioneve, organizatave të shoqërisë civile, medieve e të shoqërisë në përgjithësi, për të përmirësuar mirëqenien e tyre e për të adresuar të shkuarën, që nuk është veç e tyre, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se me angazhim të përbashkët duhet t’i inkurajojmë rrëfimet për gjenocidin e Serbisë dhe krimet e tjera të saj, sepse e vërteta na ndihmon të gjithëve edhe si individ edhe si shoqëri.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit