6.8 C
New York
Wednesday, March 26, 2025

Buy now

Kurti mori pjesë në tubimin përkujtimor të 26-vjetorit të masakrës së Celinës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nga fshati Fortesë vazhdoi për në fshatin Celinë të Komunës së Rahovecit, ku mori pjesë në tubimin përkujtimor për përvjetorin e 26-të të masakrës së Celinës dhe bëri homazhe pranë me nderime dhe homazhe pranë varrezave të fshatit.

- Advertisement -

“Në këtë përvjetor të 26-të, e çdo ditë të vitit, nderojmë të martirët e dëshmorët të cilët nuk janë më me ne fizikisht, por me të cilët jemi e duhet të jemi gjithnjë shpirtërisht. U nderojmë edhe juve që jeni këtu të fortë përkundër dhembjes e pikëllimit. Krahas sakrificës së të rënëve, e çmojmë dhe duhet përherë ta çmojmë qëndresën e popullit”,u shpreh kryeministri në fjalën e tij të rastit në këtë tubim përkujtimor.

26 vjet më parë, rreth orës nëntë e gjysmë të mëngjesit, rreth 500 ushtarë të Serbisë hynë në Celinë nga katër drejtimet. Në këtë masakër, i vranë 82 civilë të moshave të ndryshme. 18 nga trupat i dogjën, e 13 nga të vrarët ishin fëmijë. I kujtojmë me dhimbje: Albanin, Bledarin, Besartin, Altinin, Albulenën, Suzanën, Burbuqen, Ramazanin, Mejremen, Gëzimin, Bedrushin, Albanin, si dhe Almën, e cila ishte vetëm 18 muajsh.

“Masakra e tmerrshme e Celinës nuk ka ndodhur e vetme. Tërë stina e pranverës është e mbushur me përvjetor të masakrave që shteti i Serbisë i ka kryer mbi shqiptarët në Kosovë. Veçanërisht nga 24 marsi i vitit 1999 kur filluan bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavinë e Millosheviqit, pikërisht për ta ndalur gjenocidin e Serbisë, ajo i pati intensifikuar dhe brutalizuar të gjitha veprimet e saj mizore, për ta përshpejtuar spastrimin etnik që synonte shfarosjen tonë”, tha kryeministri Kurti.

Ai shtoi se nën peshën e kujtimeve të rënda, si popull kemi zgjedhur të jemi të bashkuar në dhembje, por edhe në shpresë. Ne kemi mbijetuar dhe kemi ndërtuar jetën e re, në Kosovën e lirë. E megjithatë, ai tha se jemi një shtet dhe shoqëri që nuk i harron e as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia në Kosovë dhe se Republika që dita-ditës po e kompleton infrastrukturën institucionale dhe ligjore, po i rritë kapacitetet për t’i adresuar krimet e kryera gjatë luftës.

“Jemi të vendosur në rrugën e drejtësisë, sepse shteti i Serbisë dhe kriminelët e luftës, nuk do të mund t’u shpëtojnë përgjegjësive institucionale dhe individuale për krimet dhe gjenocidin e kryer mbi neve, shqiptarët e Kosovës”, u shpreh kryeministri.

Duke u përkulur me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve, në fund të fjalës së tij kryeministri tha se rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udherrëfim se si të ecim përpara/

Pas homazheve dhe tubimit përkujtimor, kryeministri vizitoi muzeun e masakrës së Cilinës, ku shkroi në librin e përshtypjeve.

Shënimi i plotë i kryeministrit:

Masakra e Celinës është dëshmi e gjenocidit të Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë. Derisa jemi këtu bashkë me banorët e Celinës, përplot dhembje e krenari, jemi dëshmi që liria dhe populli, pavarësia dhe Republika kanë ngadhënjyer. Forcimi i shtetit është obligim ndaj dëshmorëve e martirëve dhe detyrë e sotme për të ardhmen e qytetarëve, brezit të sotëm dhe të atyre që do të vijnë. Lavdi!

Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës
Celinë, Rahovec
25 mars 2025

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të dashur banorë të Celinës,
Të nderuar përfaqësues e drejtues të institucioneve qendrore e lokale,
I nderuari Kryetar i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi,
Të nderuar invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
I nderuari Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Albena Reshitaj, Haxhi Avdyli, Ariana Musliu-Shoshi, Ganimete Musliu,
I nderuari ish-Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, Hashim Rexhepi,
I nderuari ish-Kryetar i Komunës dhe ish-ministër i Bujqësisë, profesor Idriz Vehapi,
Të dashur familjarë të dëshmorëve e të martirëve të kombit,
Të dashura motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,

Në këtë përvjetor të 26-të, e çdo ditë të vitit, nderojmë të martirët e dëshmorët të cilët nuk janë më me ne fizikisht, por me të cilët jemi e duhet të jemi gjithnjë shpirtërisht. U nderojmë edhe juve që jeni këtu të fortë përkundër dhembjes e pikëllimit. Krahas sakrificës së të rënëve, e çmojmë dhe duhet përherë t’a çmojmë qëndresën e popullit.

26 vjet më parë, rreth orës nëntë e gjysmë të mëngjesit, rreth 500 ushtarë të Serbisë hynë në Celinë nga katër drejtimet. Në këtë masakër, i vranë 82 civilë të moshave të ndryshme. 18 nga trupat i dogjën, e 13 nga të vrarët ishin fëmijë. I kujtojmë me dhimbje: Albanin, Bledarin, Besartin, Altinin, Albulenën, Suzanën, Burbuqen, Ramazanin, Mejremen, Gëzimin, Bedrushin, Albanin, si dhe Almën, e cila ishte vetëm 18 muajsh.

Masakra e tmerrshme e Celinës nuk ka ndodhur e vetme. Tërë stina e pranverës është e mbushur me përvjetor të masakrave që shteti i Serbisë i ka kryer mbi shqiptarët në Kosovë. Veçanërisht nga 24 marsi i vitit 1999 kur filluan bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavinë e Millosheviqit, pikërisht për ta ndalur gjenocidin e Serbisë, ajo i pati intensifikuar dhe brutalizuar të gjitha veprimet e saj mizore, për ta përshpejtuar spastrimin etnik që synonte shfarosjen tonë.

Gjatë kësaj periudhe, forcat e armatosura ushtarake dhe policore serbe, vranë mijëra njerëz të pafajshëm e të pambrojtur, teksa torturuan, plaçkitën e përdhunuan mijëra të tjerë, si dhe dogjën e shkatërruan prona dhe pasuri me vlerë të pallogaritshme kudo në Kosovë.

Po vijmë këtu nga homazhet në 26-vjetorin e masakrave në Tërnje, Brestoc e Fortesë. E nga këtu do të bëjmë homazhe në Goden të Gjakovës, në përvjetorin e masakrës atje.

Ne jemi një shtet dhe shoqëri që nuk i harron e as nuk i falë krimet e kryera nga Serbia në Kosovë. Jemi Republika që dita-ditës po e kompleton infrastrukturën institucionale dhe ligjore, e po i rritë kapacitetet për t’i adresuar krimet e kryera gjatë luftës.

Jemi të vendosur në rrugën e drejtësisë, sepse shteti i Serbisë dhe kriminelët e luftës, nuk do të mund t’u shpëtojnë përgjegjësive institucionale dhe individuale për krimet dhe gjenocidin e kryer mbi neve, shqiptarët e Kosovës.

Të dashura motra dhe vëllezër,

Nën peshën e kujtimeve të rënda, si popull, kemi zgjedhur të jemi të bashkuar në dhembje, por edhe në shpresë. Ne kemi mbijetuar dhe kemi ndërtuar jetën e re, në Kosovën e lirë.

Ne po vazhdojmë të ndërtojmë dhe forcojmë Republikën e Kosovës së bashku, duke u siguruar që asnjë gjeneratë tjetër të mos e përjetojë as për së afërmi terrorin nëpër të cilin kemi kaluar ne.

Siguria dhe demokracia, zhvillimi dhe reputacioni i vendit tonë janë lartësuar, zgjeruar e thelluar dhe janë dëshmi se si çlirimi ashtu edhe pavarësia ia kanë vlejtur fort.

E dimë se ku shkojmë, sepse e dimë nga vijmë. Përkulemi me shumë dhembje, dashuri dhe krenari para kujtimit të të gjithë të vrarëve. Rënia e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim se si të ecim përpara.

Të rënët për liri nuk do të jenë kurrë të harruar. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!

Rroftë e qoftë kombi ynë liridashës e Republika jonë përparimtare! Lavdi!

 

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit