16.8 C
New York
Saturday, March 29, 2025

Buy now

Kurti mori pjesë në tubimin përkujtimor për 26-vjetorin e masakrës së Krushës së Madhe

- Advertisement -

 

Në nderim dhe përkujtim të të vrarëve në masakrën e Krushës së Madhe, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule pranë varreve të 22 dëshmorëve dhe 155 martirëve, të cilët 26 vjet më parë u vranë pamëshirshëm nga forcat serbe.

 

Në këtë tubim përkujtimor, në shënim të 26-vjetorit të kësaj masakre mizore, kryeministri Kurti u shpreh se ky vend që mban emrin dhe dhembjen e madhe është dëshmi e krimeve të Serbisë gjenocidale.

 

“Bashkë me familjarë, të mbijetuar e dëshmitarë të masakrës së Krushës së Madhe, përkujtojmë sot një nga masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb. Ndërmjet 25 dhe 27 mars 1999, forcat serbe këtu vranë pamëshirshëm 155 civilë shqiptarë. Në mesin e tyre ishin edhe shtatë fëmijë e pesë gra. Njëra nga to ishte shtatzënë. Forcat e Serbisë zhdukën me dhunë 64 krushjanë, mes tyre edhe intelektualin e jashtëzakonshëm e veprimtarin e paepur Ukshin Hoti. Mbi 700 shtëpi u dogjën, bashkë me institucione fetare e kulturore”, tha kryeministri Kurti

 

Kryeministri përmendi edhe dy krematoriumet e Krushës së Madhe. Në krematoriumin e parë, gjurmët e të cilit janë ende të dukshme, forcat serbe dogjën 19 civilë të pafajshëm shqiptarë. Në krematoriumin e dytë, në shtëpinë e familjes së Nezir Durakut, u dogjën mizorisht mbi 40 civilë të tjerë.

 

Për këto dy krematoriume të cilat i kishte parë personalisht Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Robin Cook, gjatë vizitës së tij në qershor të vitit 1999, ai kishte thënë: “ata i kishin vrarë qëllimisht dhe pamëshirshëm”, dhe se “po aq sa ndjen keqardhje për viktimat, ndjen zemërim të thellë, ndaj atyre që kryen këto vrasje dhe ndaj atyre që dhanë urdhërat në Beograd”.

 

Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Përkundër kësaj, drejtësia ende nuk ka vepruar dhe kryerësit nuk janë dënuar.

 

Kryeministri theksoi se është evidente që policët dhe ushtarët e Serbisë kanë pasur urrejtje të madhe dhe plan të qartë për të kryer krimet, ku brenga e tyre më e madhe ka qenë zhdukja e kufomave, pra zhdukja e gjurmëve të krimit. Zhdukjet me dhunë, rrëmbimet, djegiet dhe hedhja e kufomave në lum, e forma të tjera ҫ’njerëzore të dëmtimit e zhdukjes së kufomave, janë dëshmi të qarta të këtij projekti gjenocidal, shtoi ai.

 

Duke folur për ndryshimet ligjore që kanë bërë të mundur gjykimin në mungesë të kriminelëve serbë të luftës dhe strukturën e re të miratuar të Policisë së Kosovës ku është ngritur në drejtori hetimet e krimeve të luftës dhe është rritur numri i hetuesve nga 19 në 41, kryeministri nga Krusha e Madhe bëri thirrje edhe një herë sistemit të drejtësisë në Kosovë, që të trajtojë krimet e luftës me urgjencë dhe përgjegjësi morale, e historike, e kombëtare përveçse profesionale. Ai gjithashtu ftoi qytetarët që të kontribuojnë sa më shumë në mbledhjen e dëshmive dhe dokumentimin e krimeve, sidomos tash që është funksionalizuar Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.

 

Në përmbyllje të fjalës së tij në këtë tubim përkujtimor, duke përkujtuar të vrarët kryeministri theksoi se përkulemi me shumë mall e pikëllim, po edhe me shumë krenari e admirim, dhe se Republika e Kosovës angazhohet për paqe dhe barazi mes kombeve në Ballkan.

 

“Lavdi 22 dëshmorëve dhe 155 martirëve nga Krusha e Madhe! Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të mbarë kombit shqiptar në të gjitha fazat e ngritjes e rritjes së tij”, përfundoi ai.

 

Fjala e plotë e kryeministri Kurti:

 

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj.Vjosa Osmani Sadriu,

E nderuara zëvendëskryeministre e Qeverisë, znj.Emilija Rexhepi,

Të nderuar ministra e zëvendësministra,

Deputetë të Kuvendit,

Përfaqësues të institucioneve shtetërore,

I nderuar Drejtor i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi,

Të nderuar invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shoqata të dala nga lufta, shoqata të personave të pagjetur dhe të zhdukur më dhunë,

Të dashura nëna dhe familjarë të tjerë të dëshmorëve e martirëve të kombit,

I dashuri Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur,

I nderuari Kryetar i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi,

I nderuari Kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj,

I nderuari Kryetar i Fshatit Krushë e Madhe, Selami Hoti

Të nderuar drejtorë të Komunës dhe asamblistë të Kuvendit Komunal,

Motra, vëllezër,

Zonja dhe zotërinj,

Shumë të dashur banorë të Krushës së Madhe me rrethinë,

 

Në këtë vend që mban emrin dhe dhembjen e madhe, jemi bashkë për të nderuar kontributin dhe sakrificën e jashtëzakonshme për Republikën e Kosovës.

 

Bashkë me familjarë, të mbijetuar e dëshmitarë të masakrës së Krushës së Madhe, përkujtojmë sot një nga masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb. Ndërmjet 25 dhe 27 mars 1999, forcat serbe këtu vranë pamëshirshëm 155 civilë shqiptarë. Në mesin e tyre ishin edhe shtatë fëmijë e pesë gra. Njëra nga to ishte shtatzënë. Forcat e Serbisë zhdukën me dhunë 64 krushjanë, mes tyre edhe intelektualin e jashtëzakonshëm e veprimtarin e paepur Ukshin Hoti. Mbi 700 shtëpi u dogjën, bashkë me institucione fetare e kulturore.

 

Në Krushë të Madhe janë edhe dy krematoriume. Në krematoriumin e parë,  gjurmët e të cilit janë ende të dukshme, forcat serbe dogjën 19 civilë të pafajshëm shqiptarë. E në krematoriumin e dytë, në shtëpinë e familjes së Nezir Durakut, u dogjën mizorisht mbi 40 civilë të tjerë.

 

Institucioni i ri i ndërtuar këtu, Muzeu i Masakrës në Krushë të Madhe, është dëshmi sa e krimeve të Serbisë gjenocidale, aq edhe e ngadhënjimit të Republikës së Kosovës.

 

Këto dhoma të tmerrit këtu në Krushë të Madhe i pa personalisht edhe Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Robin Cook,  gjatë vizitës së tij në qershor të vitit 1999. Ai deklaroi se “ata i kishin vrarë qëllimisht dhe pamëshirshëm”, dhe se “po aq sa ndjen keqardhje për viktimat, ndjen zemërim të thellë, ndaj atyre që kryen këto vrasje dhe ndaj atyre që dhanë urdhërat në Beograd”.

 

Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Përkundër kësaj, drejtësia ende nuk ka vepruar dhe kryerësit nuk janë dënuar.

 

Është evidente që policët dhe ushtarët e Serbisë kanë pasur urrejtje të madhe dhe plan të qartë për të kryer krimet, ku brenga e tyre  më e madhe ka qenë zhdukja e kufomave, pra zhdukja e gjurmëve të krimit. Zhdukjet me dhunë, rrëmbimet, djegiet dhe hedhja e kufomave në lum, e forma të tjera ҫ’njerëzore të dëmtimit e zhdukjes së kufomave, janë dëshmi të qarta të këtij projekti gjenocidal.

 

Për të mbledhur dëshmitë dhe për të dokumentuar me saktësi krimet anembanë Kosovës, kemi funksionalizuar Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë. Andaj, u bëj thirrje të gjithëve, që të kontribuoni me të dhëna e dëshmi në këtë proces të rëndësishëm, për ruajtjen e historisë, nderimin e viktimave e të ardhmen e brezave të ri. Kjo është si shtesë, regjistrimit të popullsisë nga fundviti i kaluar që për herë të parë në Republikën e Kosovës, ka përfshirë edhe evidentimin, regjistrimin e humbjeve dhe vuajtjeve që kemi përjetuar gjatë luftës.

 

Për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës, kemi zhvilluar bazën ligjore të munguar për shumë vite dhe kemi rritur kapacitetet e institucioneve për adresim efikas të tyre.

 

Për hetimin dhe të vërtetën, me strukturën e re të miratuar të Policisë të Kosovës, i kemi ngritur në drejtori hetimet e krimeve të luftës, me 41 zyrtarë e hetues, nga 19 sosh sa ishin më herët. Me rritjen e numrit të hetuesve, qartazi po shtohet edhe numri i të intervistuarve dëshmitarë të krimeve të luftës.

 

Në shërbim të drejtësisë për këto krime, kemi bërë të mundur gjykimin në mungesë të kriminelëve serbë të luftës. Kemi bërë ndryshimet e nevojshme ligjore, që ata të përballen me drejtësi. Andaj, nga këtu i bëj thirrje edhe një herë sistemit të drejtësisë në Kosovë, që të trajtojë krimet e luftës me urgjencë dhe përgjegjësi morale, e historike, e kombëtare përveçse profesionale.

 

Të dashura motra dhe vëllezër,

 

Këtu në Krushë, përkulemi me shumë mall e pikëllim, po edhe me shumë krenari e admirim, që këta burra e gra që i patëm, dhe për çlirimin që e arritëm. Rënia e tyre me flijim e sakrificë, është udhërrëfimi për neve se si të ecim përpara pa u ndalur e pa devijuar.

 

Këtu, në vendlindjen e bacës Ukë, profesorit Ukshin Hoti, kujtojmë me nderim veprën e tij, për jetën dhe përpjekjen tonë politike, që të jetojmë me dinjitet, të bashkuar në shtetin, i cili na shërben të gjithëve si Republikë dhe që është Republikë, përveçse demokratike edhe Republikë për zhvillim.

 

Nuk e harrojmë kurrë sakrificën e nënave, që në dhembjen e humbjes e në ankthin e pritjes, i keni rritur fëmijët tuaj. Ju që para 26 vitesh ishit subjekt i luftës çnjerëzore të projektit gjenocidal të Serbisë, sot e një çerek shekulli më parë, jeni heroinat tona. Përkulemi me respekt të pafund para forcës dhe qëndresës tuaj.

 

Jemi mirënjohës për kontributin e grave dhe solidaritetin ndaj njëra-tjetrës, që është frymëzues për mbarë popullin tonë. Jemi krah për krah e këmbëngulës në rrugën tonë drejt drejtësisë.

 

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Motra dhe vëllezër,

 

Republika e Kosovës angazhohet për paqe dhe barazi mes kombeve në Ballkan. Ne besojmë se themeli i paqes është drejtësia për viktimat dhe ndëshkimi i kriminelëve.

 

Lavdi 22 dëshmorëve dhe 155 martirëve nga Krusha e Madhe!

 

Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të mbarë kombit shqiptar në të gjitha fazat e ngritjes e rritjes së tij.

 

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit