Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, mori pjesë në shënimin e 27-vjetorit të masakrës në fshatin Pastasel të komunës së Rahovecit.
Në këtë ngjarje ku të pranishëm ishin përfaqësues institucional të nivelit qendror dhe lokal, si dhe familjarë të të vrarëve në këtë masakër, kryeministri Kurti tha se në Pastasel rikthehemi për të mos harruar kurrë 31 marsin e vitit 1999, ditën kur 106 civilë, burra e djem të paarmatosur u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.
“Ndër ta kishte edhe fëmijë, djem të moshës 13 deri 17 vjeç, të cilët të rrahur e të torturuar i rreshtuan përballë vdekjes dhe i vranë pa mëshirë, duke vrarë ëndrrat e një brezi të ri. Kishte edhe pleq, burra me plis të bardhë në kokë simbol i urtësisë dhe i traditës sonë kombëtare. Në atë ditë bashkë me ta u goditën rrënjët e trashëgimia, u goditën fëmijë e pleq, fillimi dhe vazhdimësia”, tha kryeministri.
Duke iu drejtuar familjarëve dhe të mbijetuarve, kryeministri Kurti tha se kujtimi për më të dashurit e tyre është obligim moral shoqëror dhe themel i shtetësisë sonë. Ai theksoi se Serbia kreu gjenocid në Kosovë, duke menduar se do të zhdukë shqiptarët. Kryeministri shtoi se derisa Kosova është në dritë, e lirë dhe pavarur, Serbia u vendos në faqet e errëta të historisë së njerëzimit.
“Republika e Kosovës është ndërtuar mbi aspiratën për liri dhe barazi. Ne do të vazhdojmë të dokumentojmë të vërtetën, të kërkojmë drejtësi në një Kosovë ku krimet nuk harrohen e as nuk relativizohen, një republikë të paqes së qëndrueshme mbi të vërtetën dhe drejtësinë”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuari z. Smajl Latifi, kryetar i Komunës së Rahovecit,
I nderuari z. Afrim Krasniqi, kryetar i fshatit Pastasel,
I nderuar ministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Andin Hoti,
Të nderuar deputetë të Kuvendit dhe ish kryeministra, Ramush Haradinaj dhe Avdullah Hoti,
Të nderuar familjarë të të vrarëve në Pastasel,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore e komunale,
Të nderuar banorë të Pastaselit, të fshatrave përreth, dhe të Rahovecit në përgjithësi,
Të nderuar hoxhallarë, klerik fetarë,
Të dashura familje të dëshmorëve të kombit,
Të nderuar invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Në këtë vend kujtese, në Pastasel rikthehemi për të mos harruar kurrë 31 marsin e vitit 1999, ditën kur 106 civilë, burra e djem të paarmatosur u vranë vetëm pse ishin shqiptarë.
Pasi i ndanë nga familjet forcat e armatosura të Serbisë i rreshtuan në katër grupe dhe i ekzekutuan me gjakftohtësi. Ky ishte krim i paramenduar, krim kundër njerëzimit.
Ndër ta kishte edhe fëmijë djem të moshës 13 deri 17 vjeç, të cilët të rrahur e të torturuar i rreshtuan përballë vdekjes dhe i vranë pa mëshirë, duke vrarë ëndrrat e një brezi të ri. Kishte edhe pleq, burra me plis të bardhë në kokë simbol i urtësisë dhe i traditës sonë kombëtare. Në atë ditë bashkë me ta u goditën rrënjët e trashëgimia, u goditën fëmijë e pleq, fillimi dhe vazhdimësia.
Kjo ditë dhe ky vend na flasin për dhimbjen e Pastaselit, të Senocit, Sferkes, Kaznikut, Gremnikut, Klinës, Polluzhës, Mleqanit, Çifllakut, Kramovikut, Gurit të Kuq, Zatriqit, Jashanicës e të vendeve të tjera, që sot përkujtojnë burrat e djemtë e pushkatuar këtu. Flet për të mbijetuarit, që mbajtën gjallë dëshminë e asaj dite. Por, kujtesa nuk mjafton të mbahet vetëm në rrëfime. Ajo duhet të bëhet edhe drejtësi.
Në dhjetorin e kaluar, është dorëzuar kallëzim penal për këtë masakër, një hap i domosdoshëm drejt drejtësisë. Është detyrë e institucioneve të drejtësisë, që këto të shndërrohen në aktakuza ndaj ekzekutorëve dhe urdhërdhënësve. Drejtësia e vonuar, është drejtësi e cunguar. Por, ne nuk do të ndalemi kurrë së kërkuari atë, sepse krimi nuk përfundoi me vrasje. Tri javë më vonë u tentua të fshihej edhe e vërteta, me zhvarrosjen dhe zhdukjen e trupave, por e vërteta nuk zhduket.
Të dashur familjarë,
Dhimbja juaj është pjesë e shtetit dhe e popullit tonë. Kujtimi për më të dashurit tuaj është obligim moral shoqëror dhe themel i shtetësisë sonë.
Serbia kreu gjenocid në Kosovë. Ata që na vranë menduan se do të na zhdukin, por ata ikën, ndërsa ne qëndruam këtu të pathyeshëm. Ata u vendosën në faqet e errëta të historisë së njerëzimit, e ne jemi në dritë, në tokën tonë, në liri.
Sakrifica e martirëve dhe e dëshmorëve u bë udhërrëfyes i popullit e i shtetit tonë, që nuk u dorëzua e nuk u nënshtrua. Emrat e tyre janë ripërtërirë me brezat e rinj, që po rriten bashkë me jetën e re.
Republika jonë po zhvillohet dhe po përparon për çdo ditë, me rritje ekonomike ndër më të lartat jo vetëm në rajon, me ushtri të fortë e të pajisur, me demokraci funksionale, me respekt për të drejtat e njeriut dhe me transparencë institucionale që renditin ndër vendet e para. Nga hiri i luftës bashkë kemi ngritur një republikë dinjitoze dhe kjo është fitorja jonë më e madhe që jetojmë, që përparojmë dhe që nuk harrojmë.
Të dashur të rinj që jeni sot këtu,
Kujtesa nuk është vetëm e kaluar, është mbrojtje e së ardhmes. Një popull që kujton nuk lejon përsëritjen. Dokumentimi është akt respekti ndaj jetës së secilit e secilës që u vra, u zhduk apo u torturua gjatë luftës.
Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë ka forcuar ndjeshëm kapacitetet e tij dokumentues dhe arkivore. Në këtë frymë kemi bërë edhe kërkesë zyrtare lidhur me arkivat e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka kërkuar qasje të barabartë dhe dinjitoze për viktimat dhe institucionet tona. Instituti si mekanizëm shtetëror për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës është i gatshëm të bashkëpunojë me mekanizmin ndërkombëtar rezidual për krijimin e një qendre informacioni dhe dokumentimi në Kosovë. Kjo është një lidhje natyrore ndërmjet drejtësisë ndërkombëtare të demokracive perëndimore dhe përgjegjësisë sonë kombëtare e shtetërore për ruajtjen e të vërtetës.
Të nderuar të pranishëm,
Republika e Kosovës është ndërtuar mbi aspiratën për liri dhe barazi. Ne do të vazhdojmë të dokumentojmë të vërtetën, të kërkojmë drejtësi në një Kosovë ku krimet nuk harrohen e as nuk relativizohen, një republikë të paqes së qëndrueshme mbi të vërtetën dhe drejtësinë.
Lavdi martirëve të vrarë në masakrën e Pastaselit!
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar!






