Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Konferencën e 10-të të Mjedrës në Kosovë, organizuar nga Shoqata “Mjedra e Kosovës”.
Duke e quajtur këtë si një vit jubilar e të merituar që përmbledh një dekadë pune, durimi dhe inovacioni, kryeministri Kurti tha se këtë vit kemi mbi 350 pjesëmarrës: fermerë, institucione, partnerë e kompani eksportuese dhe kjo sallë tregon qartë se frutat e imëta s’janë “kulturë e vogël, por një sektor i madh me ambicie, ndikim dhe shifra.
Pjesë e kësaj konference këtë vit, janë edhe rreth 30 fermerë nga Shqipëria, të cilët kanë nisur të kultivojnë mjedrën sipas modelit të Kosovës – një model i konsoliduar nga Shoqata “Mjedra e Kosovës”, me mbështetje profesionale në këshillim, organizim të sektorit dhe ngritjen e standardeve prodhuese.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se Kosova është një histori suksesi, që po forcohet nga viti në vit: një vend më i sigurt në Evropë, me institucione që profesionalizohen, me sundim të ligjit në rritje dhe me financa publike të shëndosha dhe kjo performancë nuk është rastësi, është rezultat i reformave të qëndrueshme, bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe përfshirje reale të të gjitha komuniteteve.
“Sot, Kosova shfaqet si partner i besueshëm euroatlantik, i përafruar me politikat e aleatëve, me rritje ekonomike solide, bankë qendrore moderne, sistem financiar të kapitalizuar mirë dhe me paqe e siguri, e cila është përmbajtësore”, tha kryeministri, duke shtuar se kjo klimë stabiliteti, transparence dhe parashikueshmërie, është arsyeja pse sektori i frutave të imëta, mjedra, dredhëza e boronica, po gjen tregje të reja, çmime më të qëndrueshme dhe kontrata afatgjata, duke e kthyer suksesin demokratik e ekonomik të vendit, në të ardhura të prekshme për familjet tona rurale.
Më tej, ai theksoi se është ngritur një zinxhir i plotë për frutat e imëta: nga pemishtet te qendrat grumbulluese, përpunues e eksportues gjithandej, të cilët e kanë shndërruar bashkëpunimin në avantazhin tonë më të madh konkurrues. Në këtë drejtim, theksoi faktin se aktualisht, në gjithë vendin kultivohen rreth 1,000 hektarë me mjedra dhe rreth 180 hektarë me boronica, një bazë e fortë, që e kemi rritur vit pas viti.
Kryeministri theksoi prioritetet dhe politikat në lidhje me sektorin duke veçuar financimin e mençur për prodhim e përpunim, qasjen në treg dhe standardizimin e certifikimin. “Teksa festojmë edicionin e 10-të, dua të falënderoj çdo fermer që zgjohet para agimit, çdo punëtor që mbush arkën me kujdes, çdo teknik që mban në formë frigoriferët, çdo partner që hap dyer të reja tregjeve. Faleminderit shoqatës për punën e palodhur, partnerëve zhvillimorë për mbështetjen e vazhdueshme dhe institucioneve tona për bashkërendim të përgjithshëm. Dhe, sigurisht, një premtim i thjeshtë nga Qeveria: do të jemi partner – jo spektator. Do të jemi lehtësues – jo pengues. Do të jemi garanci që fruti i punës suaj të marrë vlerën që meriton në treg.” tha drejt fundit të fjalës së tij kryeministri.






