19.4 C
New York
Monday, August 18, 2025

Buy now

Kurti mori pjesë në hapjen solemne të Seminarit të 43-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

- Advertisement -

 

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen solemne të Seminarit të 43-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që u mbajt në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Kosovës – Instituti i Historisë.

Para të pranishmëve të shumtë, akademikë e shkencëtarë, profesorë, drejtues të seminarit, seminaristë e studentë, në fjalën hyrëse, kryeministri potencoi se në kalendarin e jetës kulturore të Kosovës, Seminari është ngjarja kulturore më jetëgjatë, derisa theksoi se ashtu sikur edhe gjatë viteve të kaluara edhe sivjet vjen me kënaqësi në hapjen e edicionit të 43-të të tij.

“Shumë studiues, shkencëtarë dhe akademikë, të cilët vijnë me dijet dhe përvojat e gjuhës së tyre, do të flasin këtu për gjuhën e kulturës shqiptare dhe për kulturën e gjuhës shqipe. I përmbahem gjithnjë asaj thënies në hapje të seminarit këtu e katër vite më parë, kur pata theksuar që: intimiteti i pazgjidhshëm i marrëdhënies mes mendimit dhe gjuhës do të mbetet përherë çështje e njerëzimit, pra edhe e formimit tonë kulturor. Vetë kultura është kjo pazgjidhshmëri e kamotshme dhe e përjetshme”, tha kryeministri Kurti.

Më tej ai tha: Çdo seminar ndërkombëtar për gjuhën, edhe ky seminar i 43-të, ka një rol të madh në llogaritjen më të rëndësishme të bazës që i shërben mendimit deri madje edhe me kushtëzim të tij. Sepse, siç e dimë, te raporti midis mendimit dhe gjuhës, vijnë e ngatërrohen mundësimi dhe kushtëzimi. Në një farë mënyre, studimi gjuhësor përqendrohet në llogaritjen e racionalitetit të mënyrës së mirëfilltë të mendimit. Gjuha nuk është vetëm komunikim i nevojave, por mbi të gjitha komunikim i subjektivitetit, i kujtesës dhe i imagjinatës, dhe i kulturës, pra është komunikimi qenësor. Në kushtet e zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale, gjuha është themeli më solid i ruajtjes së inteligjencës dhe imagjinatës njerëzore e natyrore.

Kryeministri Kurti theksoi se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për forcimin dhe promovimin e gjuhës shqipe në Kosovë e në mërgatë. Siç tha ai, kjo është arritur përmes: bursave vjetore për studentët e Gjuhës e Letërsisë Shqipe në vlerë prej 1000 euro dhe mbështetjes së stafit akademik, si dhe bashkëpunimit me Shqipërinë për përgatitjen e teksteve të unifikuara për nxënësit shqiptarë jashtë vendit. Ai shtoi se gjithashtu, është forcuar tradita e garave dhe Olimpiadës së Gjuhës Shqipe për nxënësit parauniversitarë, duke nxitur drejtshkrimin, leximin dhe mendimin kritik. Për dy vite me radhë, ministria ka mbështetur edhe Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Krahas kësaj, ka mbështetur edhe Seminarin Mbarëkombëtar të Diasporës, që lidh institucionet arsimore me komunitetet shqiptare jashtë vendit. Se ne tashmë në diasporë, edhe Kosova edhe Shqipëria i kemi shumë studentë të dalluar, profesorë të shkëlqyeshëm edhe autorë të famshëm, gjithnjë e më të famshëm. Këto nisma krijojnë bazë të qëndrueshme për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, duke e vënë atë në qendër të edukimit dhe identitetit tonë kombëtar.

“Qasja jonë si qeveri është serioze edhe në mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike. Asaj i kemi përcaktuar një përkushtim të veçantë në ruajtjen dhe zbulimin e historisë së popullit tonë. E mua nuk më duket që ka vend me të përshtatshëm të flasim për këtë sesa pikërisht te ky seminar që i dedikohet gjuhës, sepse ne jemi para së gjithash e mbi të gjitha komb i gjuhës, i gjuhës tonë të bukur shqipe. Por, edhe lashtësia jonë është ajo e cila lidhet pikërisht me këtë që është tipari ynë themelor, por në të njëjtën kohë edhe vetë faktori qenësor i lashtësisë sonë”, tha kryeministri Kurti, duke ju uruar punë të mbarë në këtë seminar të bashkëpunimit ndërkombëtar mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
I nderuari z. Arben Hajrullahu, rektor i Universitetit të Prishtinës,
I nderuari z. Mentor Alishani, rektor i Universitetit të Prizrenit,
E nderuara znj. Lindita Sejdiu, drejtore e Seminarit,
I nderuar z. Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës,
I nderuari z. Shezai Rrokaj, bashkëdrejtor i Seminarit,
Të nderuar ambasadorë të Republikës së Shqipërisë, të Republikës së Malit të Zi, të Japonisë, përfaqësues diplomatikë nga Kroacia, Bullgaria, Greqia, dhe,
Ju të nderuar profesorë e akademikë, studentë,
Të nderuar të pranishëm,
E mbi të gjitha të nderuar mysafirë, adhurues e studiues Albanologjie që keni ardhur për këtë herën e 43-të të Seminarit tonë, ku të gjithë bashkë e jetojmë të tashmen e gjuhës tonë, por edhe gjithë të kaluarën që është institucionalizuar në këtë Seminar, e do të vazhdoj jo edhe për shumë vite po edhe për shumë dekada, e shekuj besoj unë, në të ardhmen.

Në kalendarin e jetës kulturore të Kosovës, pikërisht pra, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, është ngjarja kulturore më jetëgjatë, jo rastësisht. Sikur edhe gjatë viteve të kaluara edhe sivjet unë erdha me shumë kënaqësi në edicionin e 43-të të Seminarit. Po e them thjesht fjalën “Seminar” sepse tashmë ka vite që në Prishtinë nëse thua “Seminar”, dihet se për çfarë seminari bëhet fjalë, është fjala pra për Seminarin e Gjuhës në Universitetin e Prishtinës.

Shumë studiues, shkencëtarë dhe akademikë, të cilët vijnë me dijet dhe përvojat e gjuhës së tyre, do të flasin këtu për gjuhën e kulturës shqiptare dhe për kulturën e gjuhës shqipe. Unë i përmbahem gjithnjë asaj thënies në hapje të seminarit këtu e katër vite më parë, kur pata theksuar që: intimiteti i pazgjidhshëm i marrëdhënies mes mendimit dhe gjuhës do të mbetet përherë çështje e njerëzimit, pra edhe e formimit tonë kulturor. Vetë kultura është kjo pazgjidhshmëri e kamotshme dhe e përjetshme.

E, gjuhëtarëve u takon ta shtjellojnë disi këtë me të gjitha nën-disiplinat e tyre. Çdo seminar ndërkombëtar për gjuhën, edhe ky seminar i 43-të, ka një rol të madh në llogaritjen më të rëndësishme të bazës që i shërben mendimit deri madje edhe me kushtëzim të tij. Sepse, siç e dimë, te raporti midis mendimit dhe gjuhës, vijnë e ngatërrohen mundësimi dhe kushtëzimi. Në një farë mënyre, studimi gjuhësor përqendrohet në llogaritjen e racionalitetit të mënyrës së mirëfilltë të mendimit. Gjuha nuk është vetëm komunikim i nevojave, por mbi të gjitha komunikim i subjektivitetit, i kujtesës dhe i imagjinatës, dhe i kulturës, pra është komunikimi qenësor. Në kushtet e zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale, gjuha është themeli më solid i ruajtjes së inteligjencës dhe imagjinatës njerëzore e natyrore.

E lexova me shumë kërshëri programin e temave. Më lejoni të shprehë admirimin tim për gjerësinë e panoramës së prezantimeve gjatë ditëve në vazhdim, për pjesëmarrësit që vijnë dhe i popullojnë këto ditë me pikëpamje të shumta saqë e bëjnë Seminarin të gjithanshëm.

Më lejoni po ashtu të shprehem, mbase disi jo si kryeministër, por si qytetar që joshet fort prej punës studiuese dhe specifike të çdonjërit shkencëtar të pranishëm këtu. Nga pozicioni i qytetarit pra i cili ka lindur dhe jeton në gjuhën shqipe, që punon dhe mendon në këtë gjuhë, po përfitoj të shfaq emocionin dhe joshjen time në një enumeracion, kuptohet, jo pa boshllëqe.

Të gjithë referimet janë padyshim të një interesi të veçantë. Të ngjallin dëshirën t’i dëgjosh e të ndjekësh përmbajtjet dhe rezultatet e tyre. Nuk e kemi të gjithë fatin të jemi gjuhëtarë e të merremi me organizmin e gjallë të gjuhës. Unë pashë që tryezat e fjalës të konceptuara prej jush rendin nga poetët tanë, si shpallës të gjuhës, te dinamizimi i gjuhës nëpër treva, si fuqi e ruajtjes së të folmeve tona në kohë. Nga studimi i shprehjeve dhe simbolikave, nga këngët e ritet deri te lëvizja e gjuhës në terminologjitë disiplinore, apo dhe terminologjitë e munguara, tjetër peizazh interesant dhe fort i dobishëm. Nga mbrujtja e gjuhës nëpër mërgatat tona, deri te lidhjet e gjuhës me politikën dhe kryqëzimet e mitit me historinë, e dimensione të tjera për punët studimore. Risjellja e problematikave që mban folklori dhe baladat, apo edhe trashëgimia etno-muzikore e grave shqiptare dhe lojërat e fëmijëve, të tjera burime reflektimi për dinamikën e gjuhës dhe të kuptimit.

Më falni për krahasimin me biologjinë e së gjallës, nëse mund të themi ashtu, por në tërësinë e paneleve dhe ligjëratave të parashikuara gjuha jepet si një organizëm i gjallë që frymon në çdo cep e në çdo funksion e në çdo kohë, që pulson kudo. Sepse këtu përmenden treva dhe mosha, kohëra dhe ngjarje, personalitete dhe të dhëna poetike e prozatore të gjuhës, pra gjuha në gjalljen dhe në historinë e saj. E po aq jepet ideja e organizmit në një mjedis të larmishëm. Gjuha në eko-sistemin e vet, me tretjen e termave të huaja në situata të reja, me metabolizëm të qëlluar apo edhe të dëmtuar, e me sintaksë që e dimë se është e fortë si kjo e shqipes sonë. Një gjuhë ka edhe ekologjinë e saj: qoftë proto-shqipja, toskërishtja e jugut, shqipja e vjetër gege apo shqipja standarde, të gjitha gjendjet përbëjnë përmasat nga mund të nxirret pafundësisht fuqia e një gjuhe për të cilën nuk mund të jemi të vetëdijshëm. Sepse siç e ka thënë (Ferdinand de) Saussure gjuha vazhdimisht ndryshon, por ti nuk mund ta ndryshosh. Pra, nuk mund të ketë autor përparimi që nënkupton ndryshimin. Pra, gjuha si organizëm që organizon. Kështu mbase mund të quhet së paku magjepsja ime.

Të tjera tryeza vijojnë me reflektime mbi huazimet dhe fjalëformimet, deri edhe te terminologjia e Inteligjencës Artificiale. Pashë po ashtu që ju do të sillni edhe dëshmi të jashtëzakonshme që kanë të bëjnë me regjistrimet e vjetra të këngëve, përfytyrimin e kanunit të Lekë Dukagjinit në Itali, me shqipen në vështrimet e të huajve në kohë të hershme, apo rrëfime mbi pavarësinë e shqiptarëve në shtypin italian. Ndërlidhjet mbi modernizmin dhe estetikën, mes ideologjisë dhe letërsisë, shkojnë deri te personazhet dhe tekstet e disa prej romaneve tona bashkëkohore. Vetëm si një transformator i madh perceptimi, vetëm si e tillë, gjuha mund të rezultojë në krijimin e shtresave të kulturës, të mbarë kulturës, që ne i jetojmë, i përjetojmë, jo vetëm konsumojmë apo studiojmë.

Sido që të jetë pasuria jonë shoqërore dhe shtetërore, entuziazmi ynë për gjuhën tonë shqipe, në kulturën, artet dhe shkencat tona duhet vetëm të rritet. Si kryeministër shpreh gatishmërinë time të mbështetjes së institucioneve që janë drejtpërdrejt të lidhura me këtë qëllim fisnik e detyrë historike.

Për mua sentencat më totale mbi gjuhën, janë përvijuar në gjysmën e parë të shek. XX, nga dy autorë gjermanofonë: Ludwig Witgenstein me shprehjen e tij që “kufijtë e gjuhës sime janë kufijtë e botës sime”; dhe Martin Heidegger kur shkroi që “qenia banon në gjuhë”. Si politikan, e di fare mirë se sa të rëndësishëm janë kufijtë për të dyja anët dhe se sa kujdes duhet pasur për hapësirën ku banojmë, jo vetëm në kohën që jetojmë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Ministria jonë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për forcimin dhe promovimin e gjuhës shqipe në Kosovë e në mërgatë. Kjo është arritur përmes: bursave vjetore për studentët e Gjuhës e Letërsisë Shqipe në vlerë prej 1000 euro dhe mbështetjes së stafit akademik, si dhe bashkëpunimit me Republikën e Shqipërisë për përgatitjen e teksteve të unifikuara për nxënësit shqiptarë jashtë vendit.

Gjithashtu, është forcuar tradita e garave dhe Olimpiadës së Gjuhës Shqipe për nxënësit parauniversitarë, duke nxitur drejtshkrimin, leximin dhe mendimin kritik. Për dy vite me radhë, ministria ka mbështetur edhe Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Krahas kësaj, ka mbështetur edhe Seminarin Mbarëkombëtar të Diasporës, që lidh institucionet arsimore me komunitetet shqiptare jashtë vendit. Se ne tashmë në diasporë, edhe Kosova edhe Shqipëria i kemi shumë studentë të dalluar, profesorë të shkëlqyeshëm edhe autorë të famshëm, gjithnjë e më të famshëm. Këto nisma krijojnë bazë të qëndrueshme për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, duke e vënë atë në qendër të edukimit dhe identitetit tonë kombëtar.

Qasja jonë si qeveri është serioze edhe në mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike. Asaj i kemi përcaktuar një përkushtim të veçantë në ruajtjen dhe zbulimin e historisë së popullit tonë. E mua nuk më duket që ka vend me të përshtatshëm të flasim për këtë sesa pikërisht te ky seminar që i dedikohet gjuhës, sepse ne jemi para së gjithash e mbi të gjitha komb i gjuhës, i gjuhës tonë të bukur shqipe. Por, edhe lashtësia jonë është ajo e cila lidhet pikërisht me këtë që është tipari ynë themelor, por në të njëjtën kohë edhe vetë faktori qenësor i lashtësisë sonë.

Për këtë dëshmon edhe zbulimi ndër më të rëndësishmit për arkeologjinë e Kosovës besoj, në lokalitetin arkeologjik të Ulpianës, afër Prishtinës, ku ekipi i arkeologëve nga Kosova dhe Franca kanë zbuluar dy mbishkrime të rralla të perandorit Justinian dhe të bashkëshortes së tij, Teodora, nga mesi i shekullit VI. Njëri përmend themelimin e qytetit Iustiniana Secunda si qytet dardan, ndërsa tjetri dëshmon ndërtimin e bazilikës episkopale. Këto janë dedikimet e vetme të njohura të Justinianit, që konfirmojnë lidhjen e tij me Dardaninë dhe rëndësinë e Ulpianës në antikitetin e vonshëm dhe mesjetën e hershme. Ne do të vazhdojmë me mbështetjen teknike, shkencore e financiare, duke thelluar edhe bashkëpunimet ndërkombëtare, duke themeluar të tilla të reja, për të zbuluar e mbrojtur historinë e Kosovës më tej.

Të nderuar studiues e gjuhëtarë, profesorë e studentë,

Ju uroj punë të mbarë në këtë seminar të bashkëpunimit ndërkombëtar mbi gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ju përgëzoj me admirim për këtë seminar që përbën një traditë të mrekullueshme takimi mes studiuesve të këtyre lëmive të ndryshme, e të cilat ushqehen me gjuhën tonë dhe në gjuhën tonë.

Ju falemnderit.

 

Të ngjashme

Të fundit