Ka filluar sot edicioni i 15-të i konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, nën organizimin e Institutit Albanologjik të Prishtinës, i cila grumbullon albanologë të shquar shqiptarë dhe të huaj për të diskutuar dhe ndarë studime e arritje në fushën e gjuhës, etnologjisë, folklorit, letërsisë dhe historisë së shqiptarëve.
Në hapjen solemne të edicionit të sivjetmë mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, që gjithashtu mbajti një fjalë rasti në të cilën fillimisht u shpreh se dija fillestare albanologjike, ajo e shek. XVIII-XIX ndihmoi shumë në zgjimin kombëtar të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shek. XIX.
“Rilindësit tanë të shquar – midis tyre nga vëllezërit Frashëri e Pashko Vasa, e deri tek Faik Konica e Fan Noli etj. – i shfrytëzuan arritjet shkencore të albanologjisë për të krijuar orientimin tonë kombëtar dhe për të hedhur poshtë pretendimet joshkencore dhe propagandën raciste të shovinistëve fqinjë”, tha ai, para se të shtoj se për rilindësit tanë, “çështja shqiptare” nuk do të thoshte vetëm përcaktim i origjinës së kombit dhe gjuhës, përcaktim i shtrirjes territoriale të shqiptarëve, shkrim i gjuhës shqipe me një alfabet unik, por edhe themelim i shtetit kombëtar shqiptar.
Duke qenë dëshmitarë se si akademitë dhe institutet shkencore në ish Jugosllavi përpunuan tezat e gjenocidit kundër shqiptarëve, kryeministri u shpreh krenar që plejada e albanologëve shqiptarë, duke filluar me Kristoforidhin e deri me Selman Rizën, Eqrem Çabejn e Idriz Ajetin, Stavro Skëndin, Anton Berishën, Aleks Budën, Anton Çetën, Shaban Demirajn etj., nuk kanë pasur një qasje përçmuese apo denigruese ndaj kulturave dhe historive të popujve fqinjë të shqiptarëve. Ai shtoi se sot dija albanologjike, ushqehet nga disa institucione kërkimore shkencore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe në vende ku veprojnë e jetojnë studiuesit e gjuhës, letërsisë, kulturës dhe historisë së shqiptarëve, dhe se ajo nuk pengohet më nga kufizimet politike që ekzistonin gjatë regjimeve diktatoriale.
Të vetëdijshëm për rëndësinë kombëtare të albanologjisë, kryeministri veçoi kontributet e Qeverisë që ai drejton në mbështetje të vazhdueshme të saj përmes përkrahjes për organizimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që në muajin e kaluar mirëpriti studiues e albanologë nga 14 vende të ndryshme të botës, pastaj bursave studentore për studentët që vijojnë programet Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës, dhe bashkëpunimit me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë për mbështetjen e projekteve të përbashkëta hulumtuese, përfshirë realizimin e projektit madhor në albanologji “Enciklopedia Shqiptare”.
Në fund të fjalës së tij, ai u uroi punë të mbarë dhe diskutime të vlefshme studiuesve, ndërkohë që përgëzoi Institutin Albanologjik për organizimin e përvitshëm të kësaj konference shkencore, duke u premtuar që mbështetja e Qeverisë nuk do të mungojë asnjëherë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
I nderuari z. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
I nderuari z. Lulëzim Lajçi, ushtrues detyre i drejtorit të Institutit Albanologjik,
E nderuara profesore Florentina Gega – Musa,
I nderuari sekretar shkencor Adil Olluri,
Të nderuar anëtarë të akademisë së Këshillit Organizativ,
Të nderuar profesor, studiues, dhe punëtorë të të gjitha degëve të Institutit Albanologjik,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Ndjehem i nderuar të përshëndes fillimin e konferencës shkencore jubilare “Java e Albanologjisë” që organizon Instituti Albanologjik i Prishtinës. Albanologë të shquar shqiptarë dhe të huaj gjatë ditëve të konferencës do të kenë rastin që të ndajnë me njëri-tjetrin arritjet nga gjuhësia, etnologjia, folklori, letërsia dhe historia e shqiptarëve. Tashmë “Java e Albanologjisë” është bërë një traditë e bukur dhe uroj që ajo të vazhdojë, gjallë dhe e larmishme edhe në të ardhmen!
Në termin e “albanologjisë” janë përmbledhur dijet nga disa disiplina shkencore që kanë të bëjnë me gjenezën, historinë dhe kulturën e kombit shqiptar. Si e tillë ajo ka nisur si interesim i shkencëtarëve të huaj, si Gustav Mejer, Georg fon Hahn, Jakob Filip Fallmerayer, Norbert Jokli etj., me “çështjen shqiptare”. Për ta, “çështja shqiptare” kryesisht kishte të bënte me përcaktimin shkencor të origjinës e historisë së kombit shqiptar dhe të gjuhës së tij, si dhe të vendit që kjo e fundit e zinte në mozaikun e gjuhëve indoevropiane. Dija fillestare albanologjike, ajo e shek. XVIII-XIX ndihmoi shumë në zgjimin kombëtar të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shek. XIX. Rilindësit tanë të shquar – midis tyre nga vëllezërit Frashëri e Pashko Vasa, e deri tek Faik Konica e Fan Noli etj. – i shfrytëzuan arritjet shkencore të albanologjisë për të krijuar orientimin tonë kombëtar dhe për të hedhur poshtë pretendimet joshkencore dhe propagandën raciste të shovinistëve fqinjë. Për rilindësit tanë, “çështja shqiptare” nuk do të thoshte vetëm përcaktim i origjinës së kombit dhe gjuhës, përcaktim i shtrirjes territoriale të shqiptarëve, shkrim i gjuhës shqipe me një alfabet unik, por edhe themelim i shtetit kombëtar shqiptar. Në këtë mënyrë, albanologjia te shqiptarët lindi si një dije aktive e luftarake, e lidhur ngushtë me ngritjen e vetëdijes kombëtare të popullit tonë. Ajo ishte pjesë e përpjekjes për të mbrojtur të drejtat dhe interesat kombëtare të shqiptarëve në Ballkan. Pra, mësoheshim për veten që të mbroheshim më mirë.
Kjo përpjekje vijoi edhe në shek. XX. Ne jemi dëshmitarë se akademitë dhe institutet shkencore në ish Jugosllavi përpunuan tezat e gjenocidit kundër shqiptarëve. Prandaj, katedrave të gjuhës, etnologjisë dhe historisë shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë iu desh që me gjuhën e shkencës të argumentonin se shqiptarët nuk ishin të vonshëm në Ballkan, se populli shqiptar kishte historinë e tij, krahas popujve të tjerë të Ballkanit dhe se kultura shqiptare ishte po aq e veçantë sa edhe kulturat e popujve të tjerë në Ballkan në kontinentin tonë Evropës. Gjithsesi, ne jemi krenarë që plejada e albanologëve shqiptarë, duke filluar me Kristoforidhin e deri me Selman Rizën, Eqrem Çabejn e Idriz Ajetin, Stavro Skëndin, Anton Berishën, Aleks Budën, Anton Çetën, Shaban Demirajn etj., nuk ka pasur një qasje përçmuese apo denigruese ndaj kulturave dhe historive të popujve fqinjë të shqiptarëve.
Sot, dija albanologjike ushqehet nga disa institucione kërkimore shkencore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe në vende ku veprojnë e jetojnë studiuesit e gjuhës, letërsisë, kulturës dhe historisë së shqiptarëve. Albanologjia nuk pengohet më nga kufizimet politike që ekzistonin gjatë regjimeve diktatoriale, tani komunikimet midis studiuesve shqiptarë dhe albanologëve të huaj janë të pandërprera dhe zhvillohen normalisht. Kërkimi shkencor për gjuhën, letërsinë, etnologjinë, historinë e folklorin zhvillohet sipas vokacionit të studiuesve dhe teorive e argumenteve të shkencës. Sikurse e dëshmojnë edhe tematikat e “Javës së Albanologjisë” ndër vite, albanologjia i përgjigjet sfidave të kohës, si p.sh. po e shoh në këtë programin e sivjetshëm janë përfshirë ndryshimet që mund të kenë pësuar ritualet tradicionale përgjatë periudhës së pandemisë Covid-19, ku kontakti fizik dhe grumbullimet e njerëzve – përfshirë për dasma e morte – ishin rreptësishtë të ndaluara, dhe ku veshjeve tradicionale apo rituale u duhej shtuar edhe maska e cila mbulonte një pjesë të fytyrës. Më duket me interes aktual edhe interesimi për historikun e xehetarisë në Kosovë, në kohën kur ne po ndërmarrim hapa institucionalë për rivitalizimin e këtij sektori ekonomik kaq të rëndësishëm për rritje dhe aq strategjik për të ardhmen.
Duke ditur rëndësinë kombëtare të albanologjisë, si Qeveri përmes Ministrisë së Arsimit kemi kontribuar në vazhdimësi në mbështetje të saj. Muajin e kaluar kemi përkrahur organizimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili mirëpriti studiues e albanologë nga 14 vende të ndryshme të botës.
Me qëllim të stimulimit të të rinjve për t’u orientuar drejt albanologjisë, para dy muajve, e morëm edhe vendimin për të ndarë bursa baçelor dhe master për studentët që vijojnë programet Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Falë kësaj, në këtë vit akademik numri i aplikimeve në programin Gjuhë Shqipe nga 20 sa ishte në vitin e kaluar tash është në 105, e në Letërsi Shqipe nga 6 sa ishte vitin e kaluar tash është 79.
Kemi nënshkruar një sërë marrëveshjesh me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, për mbështetjen e projekteve të përbashkëta hulumtuese. Në bashkëpunim me Shqipërinë jemi duke e realizuar projektin madhor në albanologji “Enciklopedia Shqiptare”. Vepër me karakter hulumtues dhe promovues me 10 vëllime, projekt i cili pritet të zbatohet brenda periudhës 5- vjeçare.
Studiuesve u uroj punë të mbarë në këtë javë albanologjike. Në emër të Qeverisë së Kosovës, përgëzoj Institutin Albanologjik të Prishtinës si mikpritës të kësaj veprimtarie të përvitshme dhe premtoj se mbështetja jonë nuk do t’ju mungojë asnjëherë as në të ardhmen!