Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren në detyrë dhe ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe zëvendëskryeministren e tretë në detyrë, Emilija Rexhepi, morën pjesë në ceremoninë e shënimit të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, e cila u mbajt në Qendrën Memoriale të Srebrenicës në Potoçari.
30 vjet më parë, në Srebrenicë, u krye një nga tmerret më të mëdha të gjenocidit në Evropë. 8,372 burra dhe djem boshnjakë u vranë mizorisht, në mënyrë sistematike. Masakra në Srebrenicë, ishte dëshmi e terrorit të regjimit të Millosheviqit në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe paralajmërim i projektit gjenocidal të Serbisë në Kosovë. Masakrën në Srebrenicë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e sanksionoi si gjenocid.
Delegacioni i Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryeministri Kurti vendosen lule të freskëta dhe bënë nderime pranë varrezave të viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë. Paraprakisht, ata vizituan ekspozitën “Me hapat e atyre që (nuk) kaluan”, brenda Qendrës Memoriale. E hapur që nga viti 2021, në këtë ekspozitë të Kuratorit Aziz Osmanoviç, shfaqen gjësende që ilustrojnë vuajtjet e viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit të vitit 1995.
Vitin e kaluar, Qeveria e Republikës së Kosovës datën 11 korrik e ka shpallur ditë përkujtimore për gjenocidin e Srebrenicës.