Duke kujtuar kontekstin dhe grevën e vitit 1989, kryeministri tha se me veprimet e tyre minatorët po e mbronin Kosovën nga politikat diskriminuese dhe shtypëse të diktatorit serb në ngritje Sllobodan Millosheviqit dhe përpjekjes për ta revokuar autonominë Kosovës. Ai shtoi se për tetë ditë, deri më 28 shkurt 1989, horizonti i tetë dhe i nëntë i zgafellës së Xeherores së Stantërgut, në rreth një mijë metra nën tokë, u kthyen në fronte politike që e dridhen gjithë Jugosllavinë.
“1300 minatorët grevistë të Trepçës, siç theksoi ai, ishin 1300 ushtarët e parë që e nisën luftën, e cila pas një dekade rezultoi me çlirimin e Kosovës, ndonëse konteksti historik i kohës së atëhershme ishte shumë -shumë kompleks”, deklaroi kryeministri.
34 vjet nga greva, 24 vjet nga lufta dhe 15 vjet nga shpallja e pavarësisë, teksa kujtojmë kapacitetet e atëhershme të saj dhe ngritjen e nivelit të punës së saj sot, sfida e të gjithëve për Trepçën dhe posaçërisht e qeverisë sonë, mbetet që nga një gjigand i cili konsiderohet i fjetur, Trepça të kthehet në një burim pasurish minerare që nga nëntoka ngrit nivelet e të gjitha stadeve të punës së kësaj ndërmarrjeje, përtej çdo kujtese a historie për këtë parajsë nëntokësore.
Gjatë dy viteve të para të mandatit, kryeministri theksoi se është punuar me zell që të zhvillohen ndërmarrjet publike, duke i përkrahur në luftimin e krimit e korrupsionit përbrenda, për të tejkaluar vështirësinë financiare, për ta zënë hapin në treg dhe për ta rritur performancën e për t’i ngritur pra rezultatet. Për më tepër, Qeveria e ka përkrahur Trepçën me subvencione për investime kapitale dhe për t’u përballur me krizën energjetike, 8.2 milionë euro në vitin 2021 dhe 8.3 milionë euro në vitin 2023.
E për këto dy vjet, ai tha se kemi parë përparim te Trepça.
“Udhëheqja e re e ndërmarrjes e ka rritur prodhimin dhe të hyrat, i ka ulur shpenzimet operative dhe ka vendosur rend e disiplinë në punë. Në dy vitet e fundit, të hyrat e Trepçës janë rritur për 50% në krahasim me vitet 2018-2020. Në 2018-2020 kanë qenë 14 deri në 15 milionë euro, e tash janë 21 deri në 22 milionë euro. Vetëm gjatë vitit që shkoi, të hyrat nga koncentrati i Plumbit dhe Zinkut janë rritur për 11%, ndërsa shpenzimet operative janë ulur për 15% në krahasim me vitin paraprak. Kështu, edhe humbjet janë ulur nga 2 deri në 5 milionë euro në baza vjetore që kanë qenë me herët, në 690 mijë euro në vitin 2021, e vetëm 126 mijë euro në vitin 2022”, veçoi kryeministri Kurti.
Kryeministri Kurti gjithashtu u uroi minatorëve dhe qytetarëve të Mitrovicës fitoren e mbrëmshme të klubit të basketbollit Trepca në finale e Kupës së Kosovës në basketboll.