12.5 C
New York
Thursday, October 2, 2025

Buy now

Kurti merr pjesë në hapjen e fushatës sensibilizuese kundër Kancerit të Gjirit

- Advertisement -

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e fushatës sensibilizuese kundër Kancerit të Gjirit, me rastin e fillimit të Muajit të Ndërgjegjësimit Kundër Kancerit të Gjirit, që u organizua nga Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Kryeministri Kurti në fjalën hyrëse të tij tha se muaji i vetëdijësimit për kancerin e gjirit është fushatë vjetore ndërkombëtare, që synon edukimin për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe burrat në të gjithë botën.

“Motoja e fushatës këtë vit është “Me ty fillon parandalimi!”, një mesazh i qartë pra që tregon se secili nga ne ka një rol të rëndësishëm. Me vetëdijësimin dhe me informimin e saktë mbi kujdesin për shëndetin tonë, me vetëkontroll dhe me kontrolle të rregullta mjekësore, ne e bëjmë hapin vendimtar drejt zbulimit të hershëm të sëmundjes dhe shpëtimit të jetës”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se të dhënat tregojnë se në botë çdo vit diagnostikohen mbi 2.3 milionë raste të reja dhe humben rreth 670 mijë jetë nga kanceri i gjirit. Ai tha se në Kosovë, vetëm në vitin 2024, janë regjistruar 640 raste të reja, shumica gra, por edhe burra, dhe se ky realitet na obligon që kanceri i gjirit të trajtohet si prioritet kombëtar shëndetësor.

Për këtë qëllim, kryeministri Kurti tha se Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me IKShPK dhe institucionet shëndetësore në të gjitha nivelet, ka përgatitur një program të gjerë aktivitetesh gjatë gjithë muajit tetor: nga informimi i qytetarëve në sheshe dhe shkolla, te ligjëratat për komunitete të ndryshme, organizimi i mamografisë mobile gjatë tërë muajit në komunat ku nuk ka mamograf, deri te emisionet edukative në platforma digjitale dhe takimet me gratë që e kanë mposhtur luftën me kancerin.

Më tej, kryeministri theksoi se është investuar në pajisje të teknologjisë së fundit, në infrastrukturë moderne dhe personel të specializuar për trajtim më cilësor, derisa nga fundi i tetorit të vitit 2024, mamografitë dhe rikonstruktimi i gjirit janë falas përherë në institucionet publike në Kosovë.

Për herë të parë është hartuar dhe Plani Kombëtar i Skriningut për Kancerin e Gjirit 2026-2028, plan ky që do të mundësojë qasje më të organizuar, më të drejtë dhe më të barabartë në shërbime për të gjitha gratë, duke siguruar diagnostikim të hershëm, dhe më shumë jetë të shpëtuara.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se kjo ngjarje është një nismë që synon ndërgjegjësimin për një sëmundje që prek mijëra gra çdo vit, pa përjashtuar edhe burrat, por që me diagonstikim të hershëm mund të mposhtet. Ai tha se vetëkontrolli, kontrollet e shpeshta në rastet e dyshimeve si dhe mamografia, janë shumë të rëndësishme në zbulimin e hershëm të kësaj sëmundje për parandalimin dhe shërimin e saj.

Më tej ministri theksoi se me investimet në Klinikën e Onkologjisë, tashmë kapacitetet e shtretërve janë dyfishuar, hapësirat janë riorganizuar dhe modernizuar, duke ofruar kushte shumë më të mira për pacientët.

Të ngjashme

Të fundit