Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku, ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë ishin sonte në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren, në një lloj parafushate për të prezantuar progresin në trashëgimi kulturore, shëndetësi, punësim, mirëqenie e sundim të ligjit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti thotë se ishte në Prizrenin e Lidhjes, të shatërvanit nga burimi i pashtershëm i ujit, sikurse dashuria e tyre për këtë qytet e për Republikën.
“Në jug të Kosovës, në Prizrenin e Lidhjes, të shatërvanit nga burimi i pashtershëm i ujit, sikurse dashuria jonë për këtë qytet e për Republikën. Sonte ishim në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” për të prezantuar para qytetarëve progresin në trashëgimi kulturore, shëndetësi, punësim, mirëqenie e sundim të ligjit. Në Prizren kthehemi sot një javë, më 17 janar, në Sallën e Sporteve “Sezai Surroi” për dhënë zotimet dhe paraqitur planet tona për mandatin e ardhshëm”, ka shkruar Kurti.