Kryeministri Albin Kurti është angazhuar fort që t’i dalë në mbrojtje ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, i cili po hetohet nga Prokuroria për deklarim të rremë të pasurisë.
Martin Berishaj, ish-anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje është falënderuar përzemërsisht nga Kurti mëngjesin e sotëm në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, ku lideri i partisë në pushtet ka folur për “ecuri të mirë” në drejtësi.
Kurti ka kujtuar se si Berishaj, i përmendur në një skandal financiar në Slloveni, “u desh ta ndërpriste mandatin në kryesi për t’iu përkushtuar detyrës së re” të ambasadorit.
“Këto edhe punë të tjera, të cilat i kemi prezantuar e vazhdojmë t´i prezantojmë në qeveri, janë meritë edhe e angazhimit dhe e kontributit të kryesisë së kaluar të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Kurti, duke kujtuar se “një pjesë e asaj kryesie sot janë në pozita të rëndësishme shtetërore”.
Duke përmendur edhe persona të tjerë që nga Kryesia e LV-së kanë dalë dhe marrë pozita të rëndësishme në shtet, Kurti ika falënderuar ata përzemërsisht.
“Të gjithë këta i falënderoj, secilin me gjithë zemër, me mirënjohje shumë të madhe për punën që e kanë bërë. Jam i sigurt se e kanë bërë këtë punë jo për mua, po as për veten e tyre. E kanë bërë me idealin më të lartë kombëtar e shoqëror, dhe vlerësoj se kanë bërë punë shumë të mirë”, ka thënë Kurti.