Një krahasim të zi dhe morbid e nxori në fushatë zgjedhore Albin Kurti, duke e dhënë Lidhjen Demokratike të Kosovës si “mizë” që lëvdohet se njerëzit po e presin me duartrokitje, ndërsa “ato duar ju e dini shumë mirë se çka janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize”.
Këtë ai e performoi vetë tri herë me duar duke e mbytur një mizë imagjinare.
Këtë krahasim Kurti e bëri duke folur për partitë opozitare – Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës – ku pastaj u nal te kjo e fundit duke e lidhur me “mizën” që njerëzit me shuplakë provojnë ta mbysin.
“Kur na rastit të dëgjojmë naj udhëheqës të LDK që thotë se po i pëlqen populli e ka simpati për ta, kjo mu m’i përngjan asaj mizës që thoshte kudo po shkoj po më presin me duartrokitje. Pra kur ata thojnë që populli është si ajo miza që lavdohet se njerëzit po e presin me duartrokitje. E ju e dini shumë mirë që me ato duar që duatrokasin çka janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize”, tha Kurti.