Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, ka refuzuar të deklarohet para gazetarëve pas dështimit të seancës së sotme konstituive.
Pas daljes nga objekti i Kuvendit, ai është pyetur nëse janë të gatshëm të bëjnë kompromis për zgjedhjen e Kryeparlamentarit, mirëpo ai nuk është deklaruar.
Ai është përcjellë nga gazetarët deri në Kryeministri, mirëpo nuk e ka thënë asnjë fjalë.
Ndryshe, kjo është seanca e katërt që po dështon për konstituimin e Kuvendit. VV ka propozuar për kryeparlamentare Albulena Haxhiun në seancën e së shtunës, mirëpo ajo ka dështuar të zgjidhet në mungesë të votave. Nga 61 sa i nevojiten, ajo në dy votime ka marrë vetëm 57. Deputetët e LDK’së kanë votuar kundër, ata të Nismës kanë abstenuar, teksa PDK dhe AAK nuk kanë marrë pjesë fare në procesin e votimit.
Deputeti Glauk Konjufca nuk e bëri fare propozimin për Kryeparlamentarin, ndërsa kërkoi kohë shtesë, pasi siç deklaroi ai partitë politike janë deklaruar se janë me qëndrime të njëjta lidhur me votimin për emrin e Albulena Haxhiut Kryeparlamentare.
“Ne kemi emrin e njëjtë, Albulena Haxhiun. Kemi parë që kanë deklaruar se do të kishin qëndrimin e njëjtë. Mendoj se kjo situatë politike nuk mund të zgjidhet përveç me një marrëveshje politike, ashtu siç votohen nënkryetarët ashtu do të duhej të votohej edhe kryetari i Kuvendit”.
“Kërkojmë kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë.”, tha Konjufca para deputetëve.
Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari shtyu seancën për të mërkurën në ora 10:00.
Në Kuvend ishin të pranishëm ishin 117 deputetë