Kryeministri Albin Kurti duke kujtuar vizitën e senatori amerikan, Robert Joseph Dole në Kosovë ka thënë se sot u bënë 33 vite nga dita “kur u lidhën nyjet e dy skajeve të litarit që lidhi marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”
Ai në një status të gjatë ka shkruar se si më 29 gusht 1990, Joseph Dole erdhi ta vizitonte Kosovën, duke u takuar me një grup të gjerë përfaqësuesish politikë, aktivistësh të të drejtave të njeriut dhe gazetarë.
Bashkë më të ishin edhe disa senatorë amerikanë, John William Warner nga Virxhinia, Edwin Jacob Garn nga Utah, Donald Lee Nickles nga Oklahoma, Alfonse Marcello D’Amato nga Nju Jorku, Steven Douglas Symms nga Idaho dhe Cornelius Alexander McGillicuddy nga Florida.
Kurti k ka thënë se vizita e senatorëve amerikanë ishte historike.
“Vizita e shtatë senatorëve amerikanë në Kosovë më 29 gusht 1990, ishte një vizitë historike! Ajo i ktheu dritat kah terri informativ duke ndriçuar shtypjen dhe apartheidin e Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë. Kjo vizitë shënon fillimin e atij rrugëtimi të gjatë të përbashkët të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nga ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës te lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-s, si dhe nga dita e çlirimit te shpallja e pavarësisë më 2008 dhe ngritja e shtetit demokratik të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.