Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sakrificën e familjes Jashari në Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kurti në mbledhjen solemne të Qeverisë së Kosovës me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së tha se tri ditët e marsit na kanë përcaktuar ritmin e mendimit e pastaj t’a ruajmë në ritmin e historisë.
Sipas Kurtit, secili përvetësim i epopesë së luftës është korruptim i idealit dhe i luftës.
“Sot na ndajnë 27 mote prej ngjarjes me të lavdishme. Ato tri ditë të marsit i kemi quajtur Epopeja e UÇK-së… Kjo na ka përcaktuar ritmin e mendimit dhe veprimit politik dhe jo vetëm. Na takon neve ta ruajmë atë ritëm të bërjes së historisë. Çka është përcaktimi i ritmit, atë e gjejmë në fjalët e bacës Rifat ku tha ‘mbi luftën e gjakun të gjejmë gjuhën e përbashkët’. Epopeja e UÇK-së ka vetëm një adresë lirinë nga pushtuesi serb dhe një horizont bashkimin tonë. Ngjarjet e marsit janë një ngjarje e përkryer, ngjarje që përcakton fushën e veprimit, që nga ajo ditë çdo politikë e jona është politikë e caktuar”, tha Kurti.
Ai ka thënë se ne jemi në udhën e përcaktuar nga Epopeja dhe për katër vite qeverisje, sipas tij është ecur në ritmin e saj.
“Çlirimi i një populli përbënë lirinë që fitohet dhe lirinë që mbrohet. Ne i kemi shpallur zotimet tona si për qeverinë e kaluar, si për të ardhmen për luftë ndaj korrupsionit. Ne jemi në udhën e përcaktuar nga Epopeja dhe për katër vite qeverisje kemi ecur në ritmin e saj dhe perspektiven e hapur prej saj”, tha ai.
Sipas kryeministrit, “emrat Shaban, Adem e Hamëz janë kthyer në absolutët tanë”.