“Byroja për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet, edhe mandej duhet me tregu secili prej nga i vjen pasuria. Le të mos keqkuptohemi, ne nuk kemi asgjë kundër njerëzve të pasur, veçse duhet të na tregojnë se si i kanë bërë paratë”, tha ditë më parë kryeministri Kurti.
Deklarim të tillë për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, kryeministri Kurti e dha në një tubim paraelektoral në Mitrovicë.
Përdorimi i çështjes së Byrosë nga kryeministri në parafushatë, po kritikohet nga njohësit e drejtësisë.
Sipas Vullnet Bugaqku nga KDI, projektligji për Byronë nuk duhet të përdoret për qëllime politike.
“Mos ta proklamojnë themelimin e këtij mekanizimi si një lloj mjeti që njëra parti apo një zyrtar i lartë i shtetit, në këtë rast kryeministri t’i sulmojë të themi, eksponentët e tij politik, në mënyrën që sapo ligji të hyjë në fuqi dhe ju pastaj s’keni qare pa i deklaru ose pa tregu se ku i keni marrë parat, apo edhe se si jeni pasuruar. Pra, duhet të jemi të kujdesshëm dhe të jemi të matur që mos ta shfrytëzojmë ose mos t’ia fillojmë ende pa filluar funksionalizimi i këtij mekanizmi, të përdoret për qëllime politike”, thotë Vullnet Bugaqku nga KDI.
Ndërkohë, problematike në atakimin e pasurisë së fituar jashtëligjshëm, nuk vlerësohet se është si pasojë e mungesës së bazës ligjore.
“Sa i përket çështjes edhe të luftimit të korrupsionit edhe të pasurisë së përfituar në mënyrë të jashtëligjshme, mirëpo edhe deklarimi i prejardhjes dhe kontrollit të pasurisë, Kosova vlerësoj se ka legjislacion të mjaftueshëm edhe në drejtim të asaj të bërjes publike të pasurisë së gjithë zyrtarëve publik. Ajo çfarë mbetet është që organet ligjzbatuese të angazhohen më tepër në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive të tyre kushtetuese dhe ligjore”, thotë avokati Ardian Bajraktari.
Projektligji për Byronë, pas miratimit në Kuvend, për herë të dytë u dërgua në Gjykatë Kushtetuese nga ana e opozitës.