Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova po shndërrohet në një histori suksesi sa i përket rritjes ekonomike, ndërsa ka paralajmëruar se edhe këtë vit vendi pritet të ketë rritjen më të lartë ndër shtetet e rajonit.
“Vit pas viti Kosova po bëhet storie suksesi për rritje ekonomike. Vendi ynë përsëri do ta ketë rritjen më të lartë ekonomike në rajon, sipas projeksioneve të FMN-së. Politikat ekonomike dhe masat e ndërmarra gjatë qeverisjes sonë po ndikojnë pozitivisht në progresin dhe zhvillimin e shtetit”, ka shkruar Kurti në Facebook, duke shpërndarë një postim të mbrëmshëm të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati.
Kurse, Murati ka theksuar se pavarësisht krizave dhe sfidave globale, Kosova do të arrijë rritje të lartë ekonomike pa e rritur deficitin buxhetor apo borxhin publik.
“Sipas raportit më të fundit të FMN-së, Kosova edhe sivjet do ta ketë rritjen ekonomike më të lartën në rajon. Kjo do të arrihet përkundër sfidave e krizave globale, si dhe duke mos e thelluar deficitin apo borxhin publik. Kjo edhe njëherë e dëshmon se politikat e Qeverisë Kurti funksionojnë dhe njëkohësisht demanton të gjithë ata që prognozonin të kundërtën”, ka shkruar Murati.