Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka deklaruar se ushtria e Kosovës çdo ditë e më shumë po zhvillohet dhe po fuqizohet.
Ai tha se gjatë mandatit katërvjeçar kanë dyfishuar numrin e ushtarëve të rinj si dhe kanë investuar në armatim luftarak.
“Mbështetja jonë do të jetë vazhdimësi e mbështetjes katër vjeçare që kemi bërë deri tani. Përgjatë këtij mandati kemi dyfishuar numrin e ushtarëve, kemi rekrutuar 2315 ushtarë të rinj të cilëve do të ju shtohen edhe 390 ushtarë të tjerë në muajt e ardhshëm, në total 2705 ushtarë. Kemi investuar në armatim në vlerë prej 319 milionë duke blerë dronët luftarak ‘Bayraktar’, sistemin raketor anti tank, dhe së shpejti do t’i kemi edhe helikopterët ‘Black Hawk’ (Skifterët e zi) në inventarin e ushtrisë. Kemi vendosur themelin e industrisë së mbrojtjes me fabrikën për prodhimin e municionit Made in Kosova, e të gjitha këto sipas standardeve të vendeve të NATO-s”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Kurti gjithashtu u shpreh se rekrutët gjatë nëntë javëve të stërvitjes kanë treguar përkushtim.
Ai po ashtu tha se diplomimi i rekrutëve është shumë i veçantë për faktin se ndodh pikërisht në muajin e lavdisë kombëtare.
“Muajin mars nis me Epopenë e UÇK-së dhe përmbyllet me ndërhyrjen e NATO-së në Kosovë. Më 5, 6 dhe 7 mars qëndresa fisnike e familjes Jashari dhe lufta çlirimtare e udhëhequr nga kryekomandanti Adem Jashari shënon kthesë historike për popullin tonë në rrugën drejt lirisë. U dëshmua se kulla është më e fortë se atdheu, dashuria për atdheun është më e fortë se gjenocidi i Serbisë…nënshtrimi dhe dorëzimi nuk ishte opsion, prandaj fitorja ishte rezultati. Kjo fitore kulmoi me 24 mars 1999 falë aleatëve tanë”, ka thënë Kurti.