Home Lajme Kurti: Konferenca e Bujanit u mbështet në të drejtën e popujve për vetëvendosje

Kurti: Konferenca e Bujanit u mbështet në të drejtën e popujve për vetëvendosje

0
Kurti: Konferenca e Bujanit u mbështet në të drejtën e popujve për vetëvendosje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, thotë se Konferenca e Bujanit u mbështet në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe e artikuloi vullnetin politik të shqiptarëve në një kohë vendimtare.

Sipas tij, kjo mbledhje historike pati rol determinues në statusin politik të Kosovës dhe u bë një ngjarje referenciale edhe në periudhat e mëpastajme e deri më sot.

“Mes historianësh dhe studiuesish brezash të ndryshëm, diskutuam sot për Konferencën e Bujanit, në 80-vjetorin e kësaj ngjarje aq të rëndësishme për historinë moderne të Kosovës. Bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën e kaluam drekën në Prishtinë me historianët dhe studiuesit: Liman Rushiti, Gazmend Rizaj, Bejtullah Destani, Durim Abdullahu, Mrika Limani – Myrtaj dhe Alban Dobruna. Duke e përplotësuar njëri tjetrin, folëm për fatin e shqiptarëve dhe të Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, për rrymat e ndryshme politike dhe për figurat politike të asaj kohe”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Konferenca e Bujanit i zhvilloi punimet 80 vite më parë, më 31 dhjetor të vitit 1943 dhe gjatë dy ditëve pasuese më 1 dhe 2 janar 1944.

Kurti ka kujtuar se nga kjo konferencë doli një rezolutë e nënshkruar nga 49 delegatët pjesëmarrës, e në të cilën shkruhej që: “Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë”.

“Konferenca e Bujanit u mbështet në të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe e artikuloi vullnetin politik të shqiptarëve në një kohë vendimtare. Si e tillë kjo mbledhje historike pati rol determinues në statusin politik të Kosovës dhe u bë një ngjarje referenciale edhe në periudhat e mëpastajme e deri më sot. Për studimin e historisë politike të Kosovës dhe për kultivimin e dimensionit historik të politikës!”, ka shkruar tutje kryeministri./teve1.info/

Exit mobile version