Kosova dhe Serbia po vazhdojnë edhe më tej bisedimet në Bruksel, por fillimisht, është kryer puna për pikën e parë të takimit – Miratimi i Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Pikërisht në premabulë, ndodhet një prej pjesëve interesante të kësaj deklarate, ku bëhet e qartë se Kosova dhe Serbia pranojnë “punën e rëndësishme të Grupit Punes”.
“Duke pranuar punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit të Punës për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK. Inkurajimi i bashkëpunimit me aktorë të tjerë relevantë në fushën e Personave të Zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). Duke e njohur çështjen e Personave të Zhdukur si çështje humanitare.” – thuhet në një prej rreshtave të preambulës.
Dhe këtu, vlen të theksohet se kryetar i Komisionit për Persona të Zhdukur në Qeverinë e Serbisë është Velko Odaloviq.
Në qershor të vitit 2021, në një prej takimeve të para prej kur u bë kryeministër për herë të dytë, kryeministri Kurti e kishte përmendur këtë person.
Pikërisht atë kohë, Kurti kishte bërë “katër propozime”, ku kërkonte shkarkimin e Odaloviqit, kjo për shkak që siç deklaronte kryeministri, “në viet 1997-1999 ishte naçelnik i qarkut të Kosovës dhe udhëhiqte Kosovën e okupuar…”.
“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.” – kishte thënë ai.
Ndërkohë, në lidhje me deklaratën që u miratua sot kishte folur Odaloviq, duke thënë se “pret që të e njëjta të miratohet”.
“Është me rëndësi që të arrihet tek ky dokument, për rikthim të procesit dhe vazhdim të punës për kontakt me familjet dhe rikthimin e shpresës për ta. Është me rëndësi sepse shpresa për ta ka humbur, për shqiptarë e serbë të cilët po i kërkojnë të dashurit. Marrëveshja është një dimension politik, por që nuk është çështje politike, por një çështje humanitare.” – tha ai.
Pikat e deklaratës:
Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e Personave të Zhdukur,
-për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe ndjekjen e gërmimeve,
-për të siguruar akses të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e personave të humbur të mbetur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, regjistrimet audio dhe çdo dokument tjetër duke përfshirë ato me status të klasifikuar, nën zotërimin e institucioneve të të dyja palëve, të rëndësishme për këtë kontekst,
-të vëmë në dispozicion të gjithë dokumentacionin vendas dhe ndërkombëtar me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur,
-për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji të tjera të avancuara në zbulimin e varrezave masive,
– mundësimin dhe inkurajimin e angazhimit aktiv të familjeve të Personave të Zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,
-për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe nevojat adresuar familjeve të personave të zhdukur,
-krijimi dhe bashkëpunimi përmes një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK me synimin për të mbështetur përpjekjet për të zgjidhur fatin e personave të zhdukur,
-të monitorojë dhe mbështesë punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët. Në këtë kontekst, palët do të rishikojnë dhe përditësojnë Termat e Referencës dhe kuadrin e Përgjithshëm të Grupit të Punës. /Nacionale/