Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano sot në një konferencë për media i është përgjigjur kërkesës së kryeministrit Kurti për ndarjen e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE me dialogun me Serbinë.
Stano tha se as Kosova as Serbia nuk kanë rrugë tjetër për të kaluar përveç se të lehtësohet dialogu nga vetë Unioni.
“Rruga europiane për Kosovën dhe Serbinë shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Me fjalë të tjera, nëse s’ka progres në dialog nënkupton që s’ka progres as në procesin e anëtarësimit. Kjo është shumë e qartë”, ka thënë Stano.
Stano në konferencën e sotme tha se nëse njëra palë bën progres në procesin e dialogut, progresi do të reflektohet edhe në procesin e anëtarësimit.
“Çfarë BE-ja dhe shtetet anëtare presin kur bëhet fjalë për procesin e anëtarësimit dhe dialogun. Janë pjesë e të njëjtit proces, dialogu dhe anëtarësimi për Kosovën dhe Serbinë janë pashmangshëm të lidhur. Nëse s’ka përparim në dialog dhe në përmbushjen e zotimeve do të thotë se s’ka përparim as në proceset anëtarësuese përkatëse. Nëse ka progres nga njëra palë, do të reflektohet në procesin e anëtarësimit të palës partnere”, ka thënë Stano në konferencë për media.
Ndërkaq, Stano tha se Bashkimi Europian për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë është duke pritur rezultatet përfundimtare nga autoritet kosovare, të cilat e kanë në dorë hetimin e plotë zyrtar.
“Nuk ka asgjë të re. BE po pret ende raportin final të hetimeve nga autoritetet e Kosovës, hetimi zyrtar është në duart e autoriteteve kosovare. Kur të shohim rezultatet përfundimtare, atëherë do t’i analizojmë, rishikojmë”.