Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është siguruar lokacioni për projektin në vlerë mbi 60 milionë euro për energji diellore “Solar4Kosovo”.

Kurti theksoi se sistemit të ngrohjes do i shtohen rreth 70 megavat, ku do të përfitojnë rreth 60 mijë banorë. Kështu u shpreh ai në konferencën “Kosova dhe Urbanizmi i Ri: Qëndrueshmëria, Inovacioni, Teknologjia, Qëndrueshmëria dhe Investimet”.

Shefi i ekzekutivit theksoi se urbanizmi është ndër përpjekjet bashkëkohorë që në qendër të vëmendjes e ka njeriun dhe natyrën.

“Urbanizmi i ri me premisat e tij për të ndërtuar qytete më të qasshme, më të jetueshme, më funksionale dhe me më shumë vlera estetike, më të sigurta e miqësore ndaj këmbësorëve e biçiklistëve, hapësira më kreative e më të gjalla, është ndër përpjekjet bashkëkohore për të ndërtuar qytete që kanë në qendër të vëmendjes njeriun dhe natyrën. As njeriun pa natyrën, e as natyrën pa njeriun, por të dyjat. Bashkë e jo në kurriz të njëra tjetrës. Përveç Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, janë edhe Ministria e Zhvillimit Rajonal si dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të cilat në bashkëpunim horizontal me ministri të tjera dhe me bashkëpunim vertikal e direkt me pushtetin lokal janë duke ndërtuar politika, e duke realizuar projekte që sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm dhe rrisin cilësinë e jetesës”, u shpreh ai.

Kryeministri Albin Kurti shtoi se qeveria ka miratuar edhe vendimin për hartimin e planit të ri hapësinor të Kosovës, i cili sipas tij do të reflektojë në vizionin për zhvillim të qëndrueshëm.

“Bashkë me krijimin e databazës për energji solare, kemi siguruar lokacionin për një prej projekteve më të mëdha të energjisë diellore në Evropë, “Solar4Kosovo”. Ky investim me vlerë 64 milionë euro parashihet t’i shtojë sistemit të ngrohjes së Prishtinës rreth 70 MW kapacitet, nga i cili do të përfitojnë rreth 60 mijë banorë. Po ashtu kemi përfituar më shumë se 100 milionë euro grante nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania për trajtimin e ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave. Të dy projektet do të kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit sipas standardeve mjedisore të Bashkimit Evropian, me qëllim të zgjidhjes së problemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza me të cilat po ballafaqohet Kosova”, ka njoftuar ai.

Gjatë këtij viti, Kurti u zotua se me mbi 60 milionë euro synojnë të përfundojnë pjesën më të madhe të punimeve në autostradën e Gjilanit, rrugën Prishtinë-Podujevë, Dollc-Gjakovë, Kievë-Zahaq dhe Prishtinë-Mitrovicë.

Ndërsa, afaristi shqiptaro-amerikan, Jim Xhema ka thënë se edukimi është esencial për çdo vend që të ketë sukses për të përballuar ardhmërinë.

“Është imperativ që ju të merrni studimet shumë seriozisht, pa ju dhe gjeneratën që tani rritet në Kosovë ne do të jemi në situatë të vështirë që të zëvendësojmë gjeneratat e vjetra të njerëzve të mirë që jetuan këtu dhe luftuan për të arritur në këtë shkallë. Unë personalisht do të qëndroj i kyçur këtu me ju këtu dhe të marrë pjesë dhe ngris fonde personalisht dhe nga shokët e mi qe të sigurohemi qe ne i arrijmë qëllimet së bashku. Ne kemi arritur shumë por udhëtimi juaj është i gjatë”, ka thënë ai pata të pranishmeve.

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi ka folur për rolin dhe rëndësinë e diasporës në profesionalizmin modern të urbanizmit.

“Diaspora nuk është vetëm kontribuues financiar, diaspora jonë sot është edhe një rol model i profesionalizmit modern të urbanizmit. Ju e dinë që kompanitë tona në diasporë sot janë dizajnuesit modern dhe janë kontribuues të mëdhenj të zhvillimeve të strukturave të jetës në botë. Ju e dini që sot kemi kompani shumë të njohura në Gjermani e vende të tjera të cilat kanë një lidership të theksuar të nivelit botëror, por natyrisht edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne kemi edhe Jim Xhemën, i cili përveç konceptit patriotik, lobues, është rol modern i një ndërmarrësi të suksesshëm me dizajne të kompanisë Xhema të cilat reflektojnë dhe akceptohen në tërë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.

Një nga objektet e kampusit të UBT-së në Lipjan ka marrë emrin “Jim Xhema Building”, për kontributin dhe mbështetjen për liri dhe pavarësi të Kosovës.