Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti tha se autoritetet kosovare kanë siguruar informata për planet e pushtetit në Serbi që të nxisë incidente për Festën e Vidovdanit që mbahet në Gazimestan të shtunën.
Kurti, në mbledhjen e qeverisë në detyrë të premten, tha se Beogradi zyrtar do të tentojë që përmes incidenteve në Gazimestan, të zhvendosë vëmendjen nga protestat e paralajmëruara për nesër të studentëve në kryeqytetin serb.
“Siç e dini në fundjavë shënohet dita e Vidovdanit, e cila ndonëse ditë me karakter fetar, fatkeqësisht në vazhdimësi është përcjell me retorikë politike, nxitëse e kërcënuese për sigurinë publike nga ana e Serbisë. Beogradi zyrtar që po përballet me protesta të vazhdueshme e gjithandej të studentëve dhe jo vetëm, po përpiqet që ta zhvendosë vëmendjen diku tjetër”, tha Kurti.
Shefi i qeverisë në detyrë tha se pushteti i Vuçiqit ka organizuar udhëtimin e grupeve radikaliste nga Serbia, Mali i Zi e Bosnja, që të marrin pjesë në shënimin e Ditës së Vidovdanit në Kosovë.
“Në këtë përpjekje për të ulur përmasat e protestës anti-qeveritare të së njëjtës ditë në Beograd, pushteti në Serbi mund të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan. Sipas vlerësimeve të instituvcioneve tona të sigurisë, ka përpjekje që tubimi nesër të jetë sa më masiv. Prandaj, janë organizuar grupe serbësh nga Sebria, Mali i Zi dhe Bosnja që të vijnë në Kosovë nesër. Tradicionalisht grupe të tilla kanë qenë provokuese duke bartur simbole nacionaliste serbe dhe ruse që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. U bëjmë thirrje të gjithë bashkëaqytetarëve tanë, sidomos nga radhës e komunitetit serb në Kosovë, që të respektojnë ligjin dhe të mos keqpërdoren për qëllime politike”, tha ai.
Kurti tha se “u bëjmë thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve tanë që të mos bien pre e asnjë provokimi nga kushdoqoftë në ditën e nesërme”.