Kryeministri Albin Kurti ka folur edhe njëherë për zgjedhjet e 23 prillit në veri të vendit.
Ai përmes një video-adresimi drejtuar komunitetit serb ka thënë se është i trishtuar me faktin që në këto zgjedhje pati pjesëmarrje kaq të ulët.
“Bashkësia ndërkombëtare na premtoi se nëse pranojmë aneksin e Ohrit, do të sigurojnë pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje. Më 17 mars të këtij viti ne e zgjatëm afatin e regjistrimit në parti për pesë ditë. E gjithë kjo për asgjë. Mendova se të paktën Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai doli nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt. Kam dëgjuar se ka marrë një milion euro dhe dy apartamente në Beograd. Mund të mos jetë e vërtetë, por gjithsesi duhet të jetë presion i tepërt apo ofertë shumë luksoze, gjë që e bëri Jabllanoviqin të thoshte se nuk do të gjuante penalltinë. Përfaqësuesit e Listës Serbe, madje edhe Jabllanoviq, kanë thënë shumë për Kosovën dhe mua, por unë kam mbetur i gatshëm t’i pranoj ata si kryetarë komunash të ardhshëm. Fatkeqësisht, nuk kam as fuqi e as vullnet që t’i bëj të dalin në zgjedhje”, ka deklaruar Kurti.
Tutje ka thënë se duhen zgjedhje të parakohshme në veri por në fillim duhet të vendoset sundimi i ligjit.
“Nga ana tjetër, ne kemi nevojë për takime në Bruksel për zbatimin urgjent, të plotë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazë nga Brukseli, pjesë përbërëse e së cilës është Aneksi i Ohrit. E kam të qartë tani që presidenti i Serbisë i ka thënë PO marrëveshjes për të mos e nënshkruar dhe tani ankohet dhe pendohet duke thënë PO, për pranimin e asaj marrëveshjeje, që do të thotë njohje de facto e Republikës së Kosovës”, ka shtuar tutje ai.