Mund të tingëllojë e pabesueshme, por lideri i Vetëvendosjes në Kosovë, Albin Kurti, më nuk pajtohet me drejtuesit e Vetëvendosjes në Tiranë kur bëhet fjalë për atë nëse Aleksandër Vuçiq, ish-ministri i informimit i Sllobodan Millosheviqit, është një kriminel lufte.
Derisa Vetëvendosje e Tiranës në dhjetor të vitit 2019 e quante Aleksandër Vuçiqin “një kriminel lufte”, kështu nuk mendonte Albin Kurti në maj të vitit 2022. Kjo përplasje në distancë dhe kohë argumetohet me zë dhe figurë, pra me videon, të cilën e gjeni në fund të tekstit.
Në datën 19 dhjetor të vitit 2019, vetëm disa muaj pas tërmetit shkatërrues që goditi disa qytete të Shqipërisë, në Tiranë ishin mbledhur udhëheqësit e shteteve të rajonit për të grumbulluar ndihma. Në mesin e tyre ishte edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Aktivistët e Vetëvendosjes në Tiranë e kishin pritur me protesta shkuarjen e tij në Shqipëri.
“Këtu një kriminel lufte po vjen të pozojë si bamirës”, ishte shkruar në pankartën e madhe që ishte vendosur në hyrje të Hotel Rogner, aty ku do të flinte Vuçiq, derisa e kishin akuzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se po i shërben pastrimit të figurës së Vuçiqit përballë ndërkombëtarëve.
“Në Shqipëri po bëhen disa aktivitete në formë bamirësie dhe kjo bamirësi është një shpëlarje që i bëhet figurës së tij si kriminel lufte, sepse Vuçiq ka qenë ministër në Qeverinë e Millosheviqit në 1999 kur janë bërë krime të llahtarshme ndaj shqiptarëve. Serbia asnjëherë nuk ka kërkuar falje për krimet që janë bërë”, kishte deklaruar para mediave kryetari i Vetëvendosjes në Tiranë, Enes Sulstarova.
Kurse, anëtari tjetër i LVV-së në Tiranë, Elvis Hoxha, shihet në protestë duke mbajtur një fotografi të masakrave të kryera nga Serbia në Reçak.
Por, me drejtuesit e LVV-së në Tiranë, tanimë duket se nuk po pajtohet vetë lideri i LVV-së në Kosovë, Albin Kurti. Ai nuk mendon njëjtë për Aleksandër Vuçiqin si aktivistët e Tiranës, që protestonin kundër presidentit serb me pankartën e madhe: “Këtu një kriminel lufte po vjen të pozojë si bamirës”.
Albin Kurti, tani si kryeministër, më 18 maj 2022 kishte shkuar për vizitë në ShBA. Gjatë qëndrimit të tij ai kishte bashkëbiseduar edhe në Këshillin e Atlantikut. Aty, ai kishte dhënë një deklaratë për të cilën çuditërisht ende nuk ka marrë falënderime nga presidenti serb.
“E dimë shumë mirë se presidenti i Serbisë ishte ministër i Informimit të Millosheviqit. Por, unë mund ta imagjinoj se Millosheviqi kurrë nuk e ka konsultuar Vuçiqin. Pra, nuk duhet të jetë e vështirë për Vuçiqin që ta distancojë veten nga Millosheviqi, i cili asnjëherë nuk e ka konsultuar atë”, kishte deklaruar Kurti.
Pavarësisht këtij mospajtimi, aktivistët nga Tirana kanë një ndikim të madh në kryeministrin Kurti, disa prej të cilëve i ka angazhuar edhe në kabinetin e tij, siç ka bërë me Elvis Hoxhën, duke e emëruar këshilltar.
Kjo deklaratë e Kurtit është e para e këtij lloji për rolin e presidentit serb gjatë viteve të luftës në Kosovë.
Në mesin e shumë pankartave që i mbanin në duar protestuesit në Tiranë ishte edhe ajo se “Shqipëria nuk harron”. Siç duket, rolin e Vuçiqit në luftën e Kosovës, tani në karrigen e kryeministrit e ka harruar vetëm Albin Kurti. /Demokracia/