Zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu i quajti shpifje disa deklarata të kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili e komentoi sot një deklaratë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili mbrëmë aludiu se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli e udhëheqin partinë nga paraburgimi i Gjykatës Speciale në Hagë.
“Në mandatin tonë janë paguar mbi 32 milionë euro për mbrojtjen e personave që mbahen në paraburgim në Hagë! Pra, deklarimet e Memli Krasniqit janë veç shpifje!”, shkroi Sallahu në një postim në Facebook.
Krasniqi tha se Kurti “po vazhdon me qenë argat i Prokurorisë” së Specializuar në Hagë, e cila i akuzon ish-krerët e UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Zoti Kurti bashkë me Albulena Haxhiun ua kanë zvogëluar edhe fondet e mbrojtjes”, tha ndër tjerash kryetari i PDK-së.
Kjo deklaratë e Kurtit, ai tha se është “shpërfaqje e frikës” që sipas tij, ai ka nga lirimi i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.
“Natyrisht që ai nuk është i lumtur për këtë gjë”, tha Krasniqi.