Ky është vështrimi i Visar Ymerit – Drejtues i Institutit ‘Musine Kokalari’ – për kthesën e befasishme diskursive që pasoi vizitën e shefit të CIA-s, William Burns, midis refrenit të madh sovranist të hapjes së Urës së Ibrit pavarësisht të gjitha rezervimeve të kumtuara nga hisedarët e sigurisë në vend: prej QUINT-it e deri te KFOR-i.
Për Ymerin, me të nisur ky tregim përkthehej në qëllime zgjedhore e jo me atë çka provohej të argumentohej zyrtarisht; ndërsa vizitën e drejtuesit të agjencionit të inteligjencës amerikane njëherit edhe top-zyrtar në kabinitetit presidencial të Joe Biden, e sheh në lentet e një kthjellimi për moskeqpërdorim të çështjeve të sigurisë për përfitime elektorale.
“Që prej fillimit, mendoj unë, diskutimi për Urën e Ibrit ka pasur më shumë synim elektoral se sa rëndësi praktike apo funksionale për Kosovën. Mirëpo, një intervenim i tillë nga Shefi i CIA-s shpresoj ta mbyllë njëherë e përgjithmonë keqpërdorimin e situatës në veri pë qëllime elektorale”, tha Ymeri për Nacionalen.
“Sepse ky keqpërdorim po sjellë telashe të shumta sigurie, por edhe të demokracisë e të politikës”.
Për zbarkimin e vetë William Burns për çështje të këtilla në tre kryeqendrat problematike, sipas edhe vetë artikulimit të Departamentit amerikan të Shtetit – Ymeri e sheh aspak të zakonshme. Përzgjedhja e Sarajevës, Beogradit dhe Prishtinës – sipas Ymerit – është treguesi i vështrimit amerikan.
“Pa dyshim që vizita e zotit Burns nuk ishte e zakonshme. Nuk është e zakonshme që vendet të vizitohen nga Shefi i Inteligjencës së ShBA-ve, që këto vizita të jenë publike dhe që të takohet me krerët e shtetit”.
“Përzgjedhja e vendeve që ka vizituar flet qartë për atë se cilat vende të rajonit shihen nga ShBA si vende me potencial destabilizimi të sigurisë rajonale. Por, në këtë mes është futur edhe Kosova këtë radhë për shkak të sjelljes së qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Kurti më saktësisht, dhe papërgjegjshmërisë së tij karshi ngritjet së shqetësimeve të partnerëve për sigurinë në veri të vendit”, tha Visar Ymeri.
Çka ndodhi?
William Burns – drejtues i CIA – erdhi në Kosovë në mesin e shqetësimeve të ngritura publikisht nga ShBA për rreziqet që u kanosen jetëve të ushtarëve amerikan nga hapja thjesht-ashtu e Urës së Ibrit, “rreziqe këtë që plani i qeverisë nuk i merr parasysh” (Jeffrey Hovenier, REL).
Raport të shkruar me vlerësime të rreziqeve ShBA dërgoi edhe te Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila më së indinjueshmi edhe ngriti publikisht pyetjen se “në interes të kujt është të shihet ndofarë konfrontimi mes policit kosovar dhe atij amerikan”; pyetje kjo që në vetëvete rezononte përgjigje edhe më të madhe.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ditëve të fundit tha se tash për tash “nuk bëhet fjalë” për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim të automjete për shkak të kërcënimeve të sigurisë dhe se “këtë gjë ua kemi kumtuar qeverisë kosovare”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot iu shmang pyetjes së tashmë-stërshtruar “kur hapet Ura e Ibrit” ndonëse e kanë dhënë për “vendim të marrë, çështje të mbyllur”, “çështje kohe hapja e saj”, dhe “këtë verë”.