4.4 C
New York
Thursday, February 19, 2026

Buy now

Kurti i lansoi “konsultimet” për postin e presidentit në ditën kur erdhi Edi Rama, ende s’ka konfirmim nëse ka diskutuar dikush

- Advertisement -

Anipse tashmë janë shfaqur gatishmëri që të diskutohet për zgjedhjen e presidentit të ri, diçka e tillë, të paktën haptazi, ende s’ka ndodhur. Asnjë takim mes partive politike, e asnjë i tillë mes partive e presidentes aktuale Vjosa Osmani, s’është zhvilluar, me aq sa dihet. Diçka e tillë s’ka ndodhur pavarësisht dëshirës së shfaqur nga Osmani për të pasur një mandat të dytë në krye të shtetit.

Përveç afateve kushtetuese që po shkojnë drejt fundit, një deklaratë e Kryeministrit Kurti la të nënkuptohej se mundet që edhe ‘’brenda ditës’’ të bëhen diskutime për pozitën e presidentit.

“Brenda ditës do të fillojmë konsultimet për Presidentin apo Presidenten e Kosovës”, u deklarua dy ditë më parë Kurti. Pikërisht atë ditë në Kosovë ishte Kryeministri Edi Rama i cili takoi edhe Osmanin edhe Kurtin, por shumëkush shfaqjen e tij krah Osmanit këto ditë dhe deklaratat për të i pa si mbështetje për të, për rizgjedhje. Sido që të jetë, diçka e tillë s’ka ndodhur. Partitë vazhdojnë të zgjedhin ‘’heshtjen’’ përballë kësaj teme, edhe pse afati po shkon drejt fundit.

Madje, as kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, s’është prononcuar nëse diçka po zhvillohet rreth postit të presidentit.

E pyetur se a ka  diskutime për këtë pozitë, Haxhiu gazetarëve, u tha se për këtë çështje duhet të flasin me ‘’përfaqësues të VV’së’’, anipse edhe ajo vetë është nga kjo parti.

Edhe partitë opozitare, si Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, e Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, s’janë deklaruar qartazi për një emër të caktuar. Të njëjtat, kanë bërë thirrje për konsensus e për marrëveshje, pa treguar qëndrim të prerë.

Për dallim nga partitë, e vetmja që vazhdon të deklarohet është Osmani. Kjo e fundit, në një intervistë për Kanal10, u shpreh se ajo pret mbështetjen e deputetëve të legjislaturës së re.

“Pres mbështetje nga të gjithë deputetët e Republikës së Kosovës dhe të gjitha partitë politike që ia duan të mirën Kosovës, pa dallim”, tha ajo.

Ndryshe, presidenti i ri i vendit parashihet që të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentes aktuale, Osmanit. Për këtë, Haxhiu sot deklaroi se ‘’sipas interpretimeve, më 4 mars gjithçka do të përfundojë’’ sa i përket kësaj çështjeje.

Të ngjashme

Të fundit