Qeveria “e dorëhequr” e ka miratuar propozim-vendimin për emërimin e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor Sh. A”, Prizren.
Albin Kurti i prezantoi emrat, ndërsa ata u votuan unanimisht, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
“Tani pas kompletimit të procesit, listën prej katër emrave për anëtarë të bordit të drejtorëve në ndërmarrjen publike “Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor Sh. A”, Prizren, e prezantoj në këtë përbërje: Ylber Elshani, kryesues; Agim Muçaj, anëtar; Selvete Gjikolli, anëtare; Sylejman Gashi, anëtar”, tha ai.
Ndryshe, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka bërë me dije se vendimet e Qeverisë Kurti, e cila është në detyrë, nuk janë ligjore.
Ai ka thënë se nga dita që KQZ-ja ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, vendime e Qeverisë Kurti janë të kontestueshme.