1.4 C
New York
Friday, January 10, 2025

Buy now

Kurti i bën thirrje diasporës për rikthim, ndërsa Kosova vazhdon të përballet me ikje masive të fuqisë punëtore

- Advertisement -

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu drejtua së fundmi diasporës në Kroaci, duke i ftuar të konsiderojnë kthimin në Kosovë nën pretendimin e përparimit ekonomik dhe demokratik, gjatë një fjalimi në kuadër të fushatës zgjedhore. Megjithatë, portretizimi optimist i Kurtit ka një problem; bie në kontrast serioz me peizazhin aktual socio-ekonomik të vendit – fenomenin e migrimit masiv, i cili, sipas Bankës Botërore, i atribuohet në masë të madhe sfidave të qytetarëve për të gjetur punë.

Apeli i Kurtit ndaj mërgimtarëve në Kroaci vjen ndërsa numër masiv i kosovarëve vazhdojnë të largohen nga vendi, të shtyrë në masë të madhe nga papunësia. Megjithatë, kjo s’e ndaloi kreun e Qeverisë që të pretendoj se Kosova nuk është me e kohës kur shpërngulja ndodhte për shkak të persekutimit apo varfërisë.

“Përpiquni që të bëni dy gjëra: deri në vitin 2030, një vit të ktheheni në vendlindje. Nuk po them kthehuni tash menjëherë, se e di që këtë e mendoni ju përditë vetë, por gjejeni një vit, e kthehuni në Kosovë, se edhe progresi demokratik, edhe rritja ekonomike, kanë krijuar kushte për jetë të mirë edhe atje. Nuk është më Kosova e kohës kur janë shpërngulur shqiptarët për shkak të persekutimit apo për shkak të varfërisë. Dhe përveç kësaj, mësojeni gjuhën shqipe brezit të ardhshëm sa më mirë.” – ka thënë ai.

Thirrjet e Kurtit vijnë vetëm një muaj pasi një raport i Bankës Botërore shpërfaqi një tablo të zymtë të vendit me shifra që – përkthyer në projeksione afatshkurtra – tregojnë se fenomeni i migrimit masiv të fuqisë punëtore të vendit, ka të ngjarë të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Sipas raporti, i titulluar “Ruajtja e Ritmit të Rritjes”, vetëm 37 për qind e popullsisë së aftë për punë janë të punësuar.

“Në Kosovë, përkundër përparimeve të fundit, vetëm 37.1 për qind e popullsisë në moshë pune është e punësuar. Midis mesit të vitit 2023 dhe mesit të 2024, në rajon u krijuan 114,000 vende pune shtesë, nga të cilat Serbia pa përparimet nominale më të mëdha (48,400), e ndjekur nga Bosnja dhe Hercegovina (39,000).” – thuhet në raport.

Tjetër statistikë shqetësuese e publikimit është raporti i popullsisë që merr pjesë në tregun e punës. “Raporti më i ulët i popullsisë që merr pjesë në tregun e punës vërehet në Kosovë, vetëm 42.7 për qind.” – thuhet në raport.

Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova dhe Serbia rezulton të kenë përjetuar rënien më të madhe të popullsisë në moshë punë, me raportin që identifikon faktorë si migrimin dhe plakjen e popullsisë.

Përmë tepër, zgjerimi i Rregullores së Ballkanit Perëndimor nga qeveria gjermane në qershor 2024, duke lehtësuar aksesin në punësim për punëtorët nga rajoni, ka shkaktuar një valë emigrimi.

Sipas Deutsche Welle, vetëm midis qershorit dhe nëntorit 2024, autoritetet gjermane dhanë 25,000 leje pune për qytetarët nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Mali i Zi—një numër që barazon me të gjithë lejet e dhëna gjatë vitit 2023.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre lejeve, 5 mijë e 564, iu dhanë kosovarëve. /Nacionale/

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit