Kanë mbetur më pas se 24 orë deri te seanca e nesërme e Kuvendit për formimin e qeverisë së re, por askush nuk e di se çfarë do të ndodhë.
Lideri i VV-së, Albin Kurti, sot nuk ka pranuar të flasë për gazetarët rreth kësaj seance, e cila do të fillojë të dielën nga ora 10:00.
I pyetur nëse i ka siguruar votat e nevojshme për qeverinë “Kurti 3”, ai ka refuzuar të përgjigjet.
Derisa Kurti hesht, shumë zyrtarë të lartë të VV-së kanë pranuar se ende nuk u kanë 61 vota për formimin e qeverisë.
Një gjë të tillë mbrëmë e ka pranuar edhe deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila në mandatin e kaluar ka qenë shefe e Grupit Parlamentar të VV-së.
Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ajo ka treguar se sa vota aktualisht i ka VV-ja.
Ajo ka treguar se Kurtit i duhet edhe 4-5 deputetët për të formuar qeverinë e re.
“Pritjet janë që të kemi një qeveri nga mandatari e kryeministri aktual Kurti, e cila pritet t’i marrë të paktën 61 vota. Megjithatë në këtë moment edhe përderisa po flasim ende nuk kemi konfirmim zyrtar mbi koalicionet e mundshme duke marrë parasysh që numri i deputetëve në grupin tonë parlamentar është 48, 8 të tjerë janë nga komuniteti joshumicë dhe një është nga nënkryetari Rashiq, që prapë i bie që jemi afër 4-5 deputetë mangu për të pasur minimumin e shumicës që duhet pasur”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Një ditë më parë, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Albulena Haxhi, ka thënë se VV-ja po bën përpjekje që votat e nevojshme të sigurohen edhe në bisedimet me deputetët individual.
“Kjo nuk do të thotë se të dielën patjetër do të ftohet(seanca), por po e përmendi si afat të fundit për ta thirru seancën për formimin e qeverisë. Gjatë kësaj kohe ka pasur përpjekje për konsultime, për bisedime, me partitë politike, por edhe me deputetët individualisht për të siguruar numra për qeverinë Kurti 3. Megjithatë me këtë intenzivisht ka qenë duke u marrë kryeministri Kurti. Natyrisht që sapo te kemi informacione në raport me numrat ne do t`i bëjmë të ditura ato për opinionin publik”, ka thënë Haxhiu në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së.
Në anën tjetër presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka treguar se si do të veprojë nëse Albin Kurti nuk arrijnë të formojë qeverinë të dielën.
Në një intervistë për DW, ajo ka bërë me dije se si presidente do t’i ftojë të gjitha partitë politike për të parë nëse dikush nga subjektet politike mund të krijojë shumicën parlamentare.
“Në qoftë se ka marrëveshje, mund të mbahet seanca dhe mund të ketë qeveri. Në qoftë se s’ka marrëveshje, atëherë si presidente e vendit do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën, sepse mendoj që është përsëri herët të flasim për zgjedhjet e jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë në qoftë se nuk krijohet shumica”, është shprehur Osmani.
Për formimin e qeverisë së re, Lëvizjes Vetëvendosje i duhen së paku edhe pesë vota. Si parti fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit, VV-ja e Albin Kurtit ka 48 deputetë. VV-ja ka përkrahje edhe nga shtatë deputetë të komuniteteve joserbe, si dhe të deputetit serb Nenad Rashiqit.
Deri me tani, të gjitha partitë shqiptare në Kuvend kanë bërë me dije se nuk kanë votë për qeverinë “Kurti 3”.

 
                                    




