Çkah mos tha, përveç vajit. E publikoi tërë fjalimin e tij edhe në formë të shkruar – 462 fjalë – në asnjërën prej tyre s’e gjeni dot vajin.
Njëjtë siç nuk e gjeni as në Rezervat Shtetërore, për ku janë dhënë paratë, rreth 300 mijë euro, kompanisë polake “Xantos”, e cila atë vaj s’e solli kurrë.
Paratë janë dhënë, s’dihet kujt-kush-çka.
Përmes një video doli për të prodhuar katarsis e spastrim të fajit për mosarritjen e vajit – natyrisht, pa e përmendur.
E përmendi grurin, tha se 99.5% e saj ka arritur. Dhe se prej rezervave të tjera shtetërore të paguara, prej 10 milionë eurove të ndara, kanë mbërritur 97% e tyre.
Këtu prap, implicit, pa e thënë haptazi, dhe pa e përmendur si vaj, ai pranon se s’ka ardhur 3% e atyre 10 milionë euro mall – pra 300 mijë të ndara për vajin e paardhur.
Njëjtë si ministrja e tij, Rozeta Hajdari, që implicit konfirmoi se prej 10 milionëve të dhënë, 97% e mallit ka arritur në rezervat shtetërore; “vonesa është 3 për qind”, pra 3 përqindëshi i 10 milionëshit, 300 mijët e vajit; sa për deduksion.
Kjo është hera e parë që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklarohet për aferat e vajit dhe grurit – për të cilat Nacionalja ka raportuar gjerësisht, edhe përmes audio-regjistrimeve nga zyrtarë të MINT, të cilat kanë ekspozuar mënyrën tejet të dyshimtë, se si përmes një personi privat dhe mik të Kurtit, Ridvan Muharremit, janë kontraktuar dhe blerë rezervat shtetërore.
Kurti, goditi të gjithë: mediat, prokurorinë, gjyqësinë, opozitën, ish-pushtetet – krjet këto duke ia vënë në kundërpeshë pretendimin për atë që ai e quan “ndërgjegje të pastër” të qeverisë së udhëhequr nga ai.
Thotë gjithçka për gjithkënd, por s’e thotë kryesoren: ku është vaji?
300 mijë eurot e avulluara i injoron, teksa provon të avullojë çdo raportim për rastin e aferave në Ministrinë e Industrisë Tregtisë dhe Ndërmarrësisë.
Lexojeni të plotë apologjinë e plot të Kurtit për “Ridin”:
Të dashur qytetarë,
Qeveria jonë është e përgjegjshme dhe e drejtë. Kemi sjellë progres ekonomik dhe demokratik të paparë në Kosovën e pasluftës.
Rezervat shtetërore i kemi gjetur 300 mijë euro e i kemi bërë 25 milionë euro për dy vite.
97% të vlerës së blerë vitin e kaluar ka mbërrirë në Kosovë, përfshirë këtu 99,5% të sasisë së grurit që tashmë ndodhet në depo në vendin tonë, e për pjesën e mbetur, kompanitë furnizuese kanë obligim të hapur për ta përmbushur kontratën, dhe nëse nuk e bëjnë këtë janë procedurat ligjore.
Nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi. Unë kam besim të plotë në Ministren Rozeta Hajdari dhe në punën e saj. Pas luftës në Ukrainë, kur kishte krizë globale, ministria që ajo drejton, i ka blerë rezervat dhe i ka mbushur depot në një kohë kur të gjithë kufijtë ishin mbyllur e pothuajse të gjitha shtetet kishin ndaluar eksportin.
Të dashur qytetarë,
Qeverisja jonë me ndërgjegje të pastër dhe punë të mira natyrisht se përbën ndryshim rrënjësor karshi qeverisjes 20 vjeçare tё Kosovёs.
Si e tillë ajo domosdo prodhon si fituesit ashtu edhe humbësit e saj.
Përderisa fitues janë gjithë qytetarët e vendit (familjet përmes shtesave universale pёr fёmijё, nёnat lehona, përfituesit e ndihmave sociale, të rinjtë, studentët, punëtorët, pensionistёt, tё papunёt, bizneset e rregullta) humbësit janё tё paktё nё numёr, por jo pak tё organizuar.
Humbësit i gjeni tek elita e vjetër dhe e korruptuar politike, te gjykatës dhe prokurorë të saj, te mediat e keqpërdoruara pёr mbёshtetje tё krimit.
Edhe pse tё paktё nё numёr, pёrfitimet e tyre kanё qenё shumëmilionёshe, andaj edhe nuk kanё se si mos tё ndihen humbës tё mëdhenj.
Përpjekjet e tyre për ta ndryshuar situatën janë në shërbim të planit për ta kthyer ish sistemin e kalbur e tё korruptuar.
Nё rastin mё tё mirё ata po pёrpiqen pёr tё ruajtur disi pasurinё e akumuluar me hajni e korrupsion, monopolet artifciale e tё dёmshme që i kanë bërë me krim e keqpёrdorim tё detyrёs zyrtare.
Por, do tё dёshtojnё si nё aspiratën e tyre pёr kthim tё keqpёrdorimit, ashtu edhe nё synimin pёr përbaltjen e atyre qё kontribuojnë pёr moskthim tё asaj periudhe.
Do tё dёshtojnё edhe nё frikёsimin e secilit qё i bashkohet karvanit tё reformave progresiste dhe zhvillimit gjithëpërfshirës.
Piskamat, shpifjet dhe aksionet pompoze tё tyre do dëgjohen gjithnjё e mё rrallё.
Me qindra raportime zyrtare e kallëzime penale i kanë deponuar ministritë tona për krimin e korrupsionin që e kemi gjetur, por, përgjithësisht, kjo nuk i ka bërë përshtypje prokurorisë së shtetit.
Reformat tona nuk do arrijnë t’i ndalin. Rastet e akumuluara tё krimit e tё deponuara nga kjo qeveri nuk do mund t’i fshehin edhe shumё gjatё.
Ju falemnderit të gjithëve dhe secilit për përkrahjen. Natën e mirë, dhe, mirupafshim!