Ish-kryetari i Podujevës, njëkohësisht edhe deputeti nga radhët e LDK-së, Agim Veliu, ka komentuar zhvillimet e fundit në vend, ku kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, ftesë për konsultime para konstituimit të parlamentit.
Në një prononcim për IndeksOnline, Veliu është shprehur se kjo ftesë është pritur pasiqë sipas tij Kurti nuk ka me asnjërin nga liderët e partive raporte sikurse me Abdixhikun.
“Për ata që i njohin rrethanat dhe zhvillimet politike në 5 vitet e fundit, kjo është një ftesë që është pritur. Them e pritur sepse Kurti me asnjërin nga lideret e partive aktuale nuk është i afërt sa është me Lumirin, sado që Lumiri tërë kohën është përpjekur të luaje rolin e opozitarit “ma agresiv”. Dhe për ta bërë pak ma “serioz” krejt skenarin Kurti i dërgon ftesë zyrtare për takim”, është shprehur Veliu.
Ai po ashtu u prononcua në lidhje me mundësinë e një koalicioni të mundshëm mes VV-së dhe LDK-së.
“E pranoi ose jo. Lumiri është një dorë e zgjatur e Kurtit dhe Vjosa Osmanit në LDK. Dhe nëse do të ketë takim ose koalicion me VV-në gjithcka varet nga sugjerimet e mentores së tij Vjosa Osmanit, apo më mire të thuhet pazareve të saj me Kurtin”, ka thënë Veliu për IndeksOnline.
Në lidhje me ndikimin e kësaj ftese brenda LDK-së, Veliu theksoi se ftesa e Kurtit nuk ka asnjë efekt në klimën brenda partisë.
“Ftesa e Kurtit nuk ndikon aspak në klimën e krijuar në LDK, sepse krejt marifeti dhe skemat e manipulimit me votat e diasporës ishte pjesë e strategjisë zgjedhore të Lumirit dhe dostave të tij në Kryesi për eliminimin e shumë figurave të rëndësishme të LDK-së”, ka thënë Veliu.