Kryeministri Albin Kurti ka bërë një reagim përmes një shkrimi në Facebook, ku ka falënderuar përfaqësuesin e Lartë të BE’së për politikën e Jashtme, Josep Borrell, emisarin special të BE’së për dialogun, Miroslav Lajcak si dhe të dërguarin e posaçëm amerikan, Gabriel Escobar.
Në veçanti, Kurti e ka falënderuar ambasadorin amerikan në Kosovës Jeff Hovenier për angazhimin dhe kontributin.,
“Qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë”, shkroi Kurti.
Postimi i plotë:
Qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.
Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe durimin, posaçërisht në këto katër javët e fundit.
Fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë.
Falënderoj ndërmjetësit, zotërinjtë Borrell, Lajçak dhe Escobar, e sidomos ambasadorin amerikan Hovenier për angazhimin dhe kontributin.