Pasi dështoi ta krijojnte një shumicë të re parlamentare që do ta zgjidhte qeverinë e re të dielën, Albin Kurti të nesërmen foli me keqardhje për mossuksesin e tentimeve të tij, të cilat tha se ishin të “disahershme” dhe “shteruese”. Me Nismën tha se ishin “në kontakt të vazhdueshëm”. Por sipas Fatmir Limajt, në dy muaj, ata u takuan vetëm një herë, për dhjetë minuta, edhe atë të dielën, pas kohës kur duhej të niste seanca e jashtëzakonshme për votimin e qeverisë së re.
“Për respekt të dëgjova. Unë s’jam i interesuar të vazhdoj me këtë. Nuk mund ta votoj këtë qeveri. Nuk e keni votën time”. Kështu Fatmir Limaj thotë se i tha Albin Kurtit të dielën e 26 tetorit, në një takim 10-minutësh në Kuvend pak para se ky i fundit ta mbante ekspozenë dhe ta prezantonte kabinetin qeveritar.
Qeveria e propozuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dështoi të zgjidhej, duke mos marrë më shumë se 56 vota. Ishte hera e parë në historinë parlamentare të Kosovës që një përbërje qeveritare dështoi të zgjidhej pas propozimit në Kuvend nga i mandatuari për kryeministër.
Kurti mungonte në sallën kryesore të Kuvendit të dielën dhe nuk shkoi aty deri mbi një orë nga koha kur ajo duhej të niste. Deri pas orës 11:00, aty nuk shkuan as kryeparlamentari Dimal Basha – i cili duhej ta hapte seancën – dhe as nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Limaj, i cili shkoi në sallën kryesore të Kuvendit pak pas orës 10:00, pas pak doli prej aty. Siç tregoi mbrëmë, ai, “në hapësirat e Parlamentit” kishte pasur një takim 10-minutësh me Kurtin, i cili nuk ndryshoi asgjë.
Kreu i LVV-së e fajësoi Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate për moszgjidhjen e qeverisë së re, ndërsa tha se tentimet e tij për krijimin e një shumice parlamentare ishin të “disahershme” dhe “shteruese”.
“Dje Kuvendi, siç e pamë, nuk arriti të zgjedhë qeveri të re, përkundër tentimeve të disahershme shteruese dhe gatishmërisë tonë të hapur dhe të sinqertë, përpjekjet për ndërtimin e një shumice qeverisëse nuk e dhanë rezultatin të cilin e synuam. Asnjë nga partitë parlamentare të cilave u kemi bërë ftesë nuk ka pranuar të bëjë një marrëveshje për bashkëqeverisje, megjithëse vota e qytetarit kësaj radhe kishte përcaktuar që duhej të kishte një koalicion qeverisës”, tha ai të hënën në një konferencë për media.
Por prej 26 gushtit, kur Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit, e deri të dielën, Limaj tha se “asnjëherë as s’kemi folur, as s’jemi takuar” me Kurtin. Ai ka thënë se s’do të bënte marrëveshje me LVV-në me Dimal Bashën kryetar të Kuvendit. Atë nuk e do as në ndonjë post qeveritar.
Në takimin e fundit, Limaj tha se Kurti e ftoi për t’i treguar se po e hiqte Bashën nga pozita e kryeparlamentarit për ta përfshirë në qeveri.
“Ishte edhe një përpjekje mos kemi ndryshuar qëndrim apo jo. ‘A keni ndryshu qëndrim me e votu qeverinë?’. Thashë jo”, tha Limaj mbrëmë në Rubikon në Klan Kosova.
Ai citoi disa fjalë nga ai takim.
“Ma dha informatën… ‘E di që e ke pasë vështirë për Dimalin. Po e largojmë Dimalin nga kryetari i Kuvendit dhe po e çoj ministër’. Ia nisa me qesh”.
Tha se aty Kurti ia kërkoi mbështetjen për herë të fundit dhe të vetme në dy muaj.
“Thjesht për respekt, më keni ftuar, për respekt vij dhe ju dëgjoj”, tha Limaj t’i ketë thënë atij në këtë takim, duke shtuar se ia ka bërë të qartë se “nuk e keni votën time”.
Limaj tha se “nuk bëhen këto punë në minutën e fundit”. Sipas tij, në këtë takim të shkurtër nuk u fol për kërkesën e tij të mëhershme për t’u zgjedhur kryeparlamentar.
Për më tepër, Limaj tha se nuk shihte se LVV i kishte edhe “numrat tjerë”, përveç tri votave të Nismës.
“Unë e pyeta ku i ke numrat? S’i ke numrat. Unë s’po e shoh atje në Parlament që i ke numrat tjerë”, tha ai, duke treguar për bisedën me Kurtin.
Siç citoi Limaj, Kurti i kishte thënë se nëse nuk i ka tri votat e Nismës, s’do ta lëvizte Bashën.
“‘Nëse ju nuk votoni, unë po e lë Dimalin kryetar Kuvendi pra’. Edhe këtë ma ka thënë. ‘Nëse ju s’jeni të interesuar me votu, atëherë s’kam nevojë ta largoj Dimal Bashën’. Kam thënë jo, ajo është punë e jotja. Ne nuk votojmë”.
Kurti tha të hënën se “kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me Nismën”.
“LDK refuzon kategorikisht një qeveri të udhëhequr nga unë, kurse Nisma përfundimisht nuk deshi të jetë në një qeveri që e drejtoj unë”, tha ai.
Kjo “nuk është e saktë”, tha Limaj. “Jo pse ai ka qenë kryeministër. Jo, jo”.
Limaj tha se beson se tani vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja, ashtu siç tashmë thonë edhe në LVV, PDK, LDK e AAK./Gazeta Express






