Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar propozimin e listës së masave nga Komisioni Evropian kundër Kosovës.
Ai ka thënë se Kosova është partneri më i qëndrueshëm i BE-së nga vendet e rajonit.
“Komisioni Evropian ka prezantuar një listë të masave kundër Kosovës. BE e gjenë të Kosova partnerin më të qëndrueshëm në rajon të vlerave evropiane dhe parimeve demokratike. Kosova të tillë e ka së pari popullin dhe Qeverinë. Në raste kemi qenë kritikë ndaj BE-së por jo të hidhëruar. Nuk jemi as sot”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Evropian, Gert Jan Koopman, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk është përgjigjur pozitivisht ndaj kërkesave të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për qetësimin e situatës në veriun e vendit, ndërsa tash priten “masat ndëshkuese”.
Koopman, në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, ka thënë se Komisioni Evropian do të ndërmarrë një numër masash që do të komunikohen gjatë kësaj jave dhe ato do të përfshijnë pezullimin e punës së organeve të Stabilizim Asocimit dhe pezullimin e fondeve për Kosovën.
“Komisioni Evropian sigurisht që do të ndërmarrë një numër masash që do të komunikohen pak më vonë në këtë javë dhe ato do të përfshijnë pezullimin e punës në kuptimin e organeve të Stabilizim Asocimit, do të pezullojmë programin e fondeve për Kosovën”, ka thënë ai.
Ndër masat e tjera që pritet të merren nga Komisioni Evropian ndaj Kosovës janë edhe pezullimi i propozimit të dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor, mbështetja e vazhdueshme për prokurimin dhe po ashtu edhe nënshkrimi i kontratave dypalëshe.
“Ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalshe po ashtu do të pezullohen. Tani më lejoni të theksoj se nuk i marrim me lehtësi këto veprime dhe këto duhet të shihen si të përkohshme dhe të kthyeshme kur të shohim hapat e vegjët të autoriteteve në Kosovë që të kthehen në dialog dhe për të implementuar zotimet që janë dhënë”, tha ai.