Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një fjalim para Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ka folur për “shpifje e gënjeshtra” ndaj zyrtarëve të kësaj partie. Paranojën e tij, shefi i Qeverisë së Kosovës e ka shfaqur disa herë gjatë këtij fjalimi ku ka folur edhe për “fushata e nxitje dashakeqëse”.
Fillimisht, kryeministri duke falenderuar ministra, zëvendësministra, deputetë e aktivistë të tjerë, tha se po bëjnë punë “përkundër vështirësive, pengesave, shpifjeve e gënjeshtrave”.
Megjithatë, krejt këto, sipas Kurtit, po ia “kalitin” aktivistët e tij.
“Progresi ynë dhe qëndrueshmëria e këtij progresi janë të pashembullt në Kosovën e pasluftës, më lejoni t’ju falenderoj delegatë, aktivistë, aëntarë, ministra, deputetë, zëvendësministra e këshilltarë për punën që bëni përkundër vështirësive e pengesave, për rolin që mbani e kontributin, përkundër shpifjeve e gënjeshtrave. Nuk e kemi të lehtë, por pa mundimet që keni hequr e po hiqni, nuk do të kaliteshit për betejat që i fituam dhe për ato që na presin.” – tha ai.
Tutje, Kurti ka thënë se po tentohet që të zbehet puna e Qeverisë përmes “fushatave të shpifjeve, të pavërtetave, dhe nxitjeve dashakeqëse”.
“Ne duhet të jemi po ashtu të vëmendshëm që këtë mbështetje massive që po e gëzon Qeveria nga qytetarët, edhe Lëvizja Vetëvendosje si drejtuese, do të tentojnë, siç edhe po tentojnë, që ta zbehin e minimizojnë përmes formave nga më të ndryshmet, më së shumti e së shpeshti përmes fushatave të shpifjeve të pavërtetave dhe nxitjeve dashakeqe. Pavvarësisht këtyre përpjekjeve për të shtrëmbuar të vërteten për punën e Qeverisë, të cilat janë të shumta e të gjëra për nga ndikimi në popull, qytetarët megjithëkëto po e lexojnë drejtë situatën, sepse populli po i përjeton në përditshmëri ndryshimet e gjithëmbarshme, pozitive e progresiste. Ne kunderpërgjigjemi më së miri me punë e angazhim, dhe i ballafaqojmë më së miri me mobilizim e aktivizim.” – ka thënë Kurti.
Kreu i VV-së u ka bërë thirrje aktivistëve të tij që mos të garojnë me njëri tjetrin, pasi sipas tij, “kjo garë është produkt i ndasive që nxiten nga të tjerët”.
“Duhet të kuptojmë që gara me njëri tjetrin është produkt i ndasive që i nxitin të tjerët, ajo nuk na shërben neve dhe nuk i shërben qyetarit. Stoikët e kanë vënë re qysh në kohërat antike, që gara e vetme që duhet ta kemi është ajo me vetvetën, natyrisht vetëm nëse përmirësimi dhe progresi janë qëllimet tona.” – tha shefi i Qeverisë së Kosovës.