Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij të ditës së parë të simpoziumit në Symi të Greqisë, ka folur për një Kosovë ekonomikisht të zhvilluar, sidomos me ardhjen e tij në qeveri.
Disa pjesë nga fjalimi i Kurtit:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Simpoziumin Symi, të 24-in me radhë në Athinë. Në ditën e parë të simpoziumit, kryeministri Kurti diskutoi në panelin “Implikimet e luftës në Ukrainë: Strategjia e re për shtyrjen përpara të hyrjes në BE të Ballkanit Perëndimor? Mundësitë dhe skenarët”.
Në diskutimin e tij, kryeministri theksoi të arriturat në vitin e parë të qeverisjes, përmirësimin e indikatorëve ekonomikë dhe demokratikë, siç tha, si ‘rezultat i stabilitetit institucional’.
“Kemi pasur një vit të parë mjaft të mirë në qeveri pas fitores plebishitare të vitit të kaluar, në shkurt të vitit të kaluar. Kemi pasur stabilitet institucional që na mundësoi të kemi rritje impresive ekonomike prej 10,3 për qind të bruto produktit vendor, rritjen e parë dyshifrore ndonjëherë pas çlirimit, më 1999”, tha Kurti.
“Ky ishte një vit i rritjes ekonomike dhe kundër korrupsionit, i qeverisë socialdemokratike me stabilitet institucional. Kemi pasur Pakon e Ringjalljes Ekonomike, 7 për qind të bruto produktit vendor për ata që kanë humbur vendet e punës, për profilizimim në vendet e punës, për prodhimin vendor, rritjen e eksporteve, përkrahje të familjeve, përkrahjen për punëtorët shëndetësorë dhe policinë gjatë pandemisë COVID-19 dhe shumë e shumë të tjera”, tha Kurti, teksa foli për gjendjen ekonomike në Kosovë.
Arsimin publik e kemi bërë falas edhe në nivelin universitar dhe e kemi rritur veçanërisht numrin e bursave të shkollimit për vajzat studente në STEM dhe për minoritetet. Sepse studentet në përgjithësi janë më të mira se studentët, por pasi që diplomojnë ato përfundojnë në sektorin publik, ku pagat janë mjaft të ulëta, ndërsa djemtë shkojnë në sektorin privat, ku pagat janë më të larta, posaçërisht në sektorin e IT.
Në afat të mesëm ne e shohim këtë si një hendek social që duam ta parandalojmë. Kjo është arsyeja që kur kemi të bëjmë me studimet për STEM ne po u japim përparësi të madhe vajzave. Kemi rritur buxhetin për subvencionimin për hektar për grurë dhe po përkrahim bujqësinë si asnjë qeveri para neve. Po i japim fund informalitetit dhe monopoleve në ekonomi, kemi kapur 1.1 ton narkotikë, kemi shkatërruar 54 grupe kriminale, 270 zyrtarë shtetërorë dhe publikë janë arrestuar për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës në vitin e parë të mandatit tonë katërvjeçar.
Ne besojmë që Kosova është storie e dyfishtë suksesi. Në njërën anë është storie suksesi e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, për të ndalur gjenocidin serb të regjimit të Millosheviqit. Ia ka vlejtur intervenimi në Kosovë. Dhe po ashtu ne jemi storie suksesi e kombinimit të rritjes ekonomike me demokracinë kualitative. Sepse siç e dimë janë disa superfuqi që duan të dëshmojnë se zhvillimit ekonomik nuk i duhet demokracia, në të vërtetë se autokracia është më e mirë sepse sjellë stabilitet të sigurt.
Por ne po dëshmojmë se ekonomia dhe demokracia mund të ecin krahas njëra tjetrës dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse është një përpjekje shumë e madhe rreth diskursit, rreth narrativës në shek. 21. Ne nuk jemi vend shumë i madh, por jemi shembull shumë i mirë i zhvillimit ekonomik dhe demokracisë kualitative që ecin së bashku”, tha ai.