Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar një mbledhje komemorative në nder të shkrimtarit Rushit Ramabaja, ku morën pjesë familjarë, miq, bashkëpunëtorë dhe përfaqësues institucionalë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se Ramabaja ishte një zë i rrallë intelektual, fjala e të cilit la gjurmë të thella në kulturën dhe ndërgjegjen shoqërore e kombëtare, duke theksuar se me ndarjen e tij nga jeta humbet një poet, gazetar dhe publicist i shquar.
Ai shtoi se Ramabaja i përkiste brezit të intelektualëve që u formuan herët dhe u sprovuan në rrethana të vështira historike, duke i qëndruar gjithmonë besnik fjalës së shkruar.
Ndërkohë, Avni Dehari e cilësoi Rushit Ramabajën si një personalitet shumëdimensional të letërsisë shqipe në rrafshin gjithkombëtar.
Rushit Ramabaja ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare. Ai ishte gazetar kulture në gazetën “Rilindja”, shkrimtar, poet dhe i burgosur politik, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar letrare dhe intelektuale për kulturën shqiptare.






