Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për La Repubblica, ka thënë se është e pabesueshme që krerët e lartë të UÇK-së janë në Hagë, ndërsa ministri i Millosheviqit, Aleksander Vuçiq po flirton me Putinin.
Kurti, i pyetur për gjykimin që po ju bëhet ish-krerëve të lartë të UÇK-së, ka shtuar se gjykimi i tyre dhe flirtimi i Vuçiqit me Putinin është një paradoks europian.
I pari i qeverisë, përveç tjerash e ka quajtur Vuçiqin si një “kukull të Kremlinit” dhe se Serbia mundohet ta imitojë Rusinë.
Tutje, Kurti, e sheh BRSS-në si “në një oktapod me Federatën Ruse në qendër dhe tentakulat e saj: Donbass, Krime, Transnistria, Osetia e Jugut”.
Kryeministri i Kosovës ka vazhduar duke thënë se edhe Ish-Jugosllavia është një e tillë “me Serbinë në qendër, entitetin serb në Bosnje, një entitet serb në Mal të Zi që nuk e njeh pavarësinë e saj dhe strukturat ilegale në Kosovën veriore”.
Përveç tjerash Kurti ka komentuar edhe idenë e Kosovës për anëtarësimin në NATO, ku ka thënë se “Kosova nuk është në NATO por e ka NATO-n brenda vetës”.
Ai po ashtu ka shtuar se duhet të ndërmerren hapa të mëtejshëm drejt anëtarësimit në NATO, hap i cili është thelbësor për sigurinë në rajon.