Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e kongresmenit Eliot Engel.Ai e ka kujtuar kontributin e madh të ish-zyrtarit të lartë amerikan në mbrojtjen e çështjes së Kosovës.
Në profilin e tij në Facebook, Kurti ka shkruar se Engel ishte ndër zërat e hershëm dhe të palëkundur në mbështetje të Kosovës“Dje mori rrugën e amshimit miku i madh i kombit tonë dhe kongresmeni i shquar Eliot Engel.
Për më shumë se tri dekada në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, ai ishte një shërbyes i përkushtuar i qytetarëve amerikanë dhe një zë i fuqishëm për të drejtat e njeriut. Në kohët më të vështira për shqiptarët, Engel nuk u kursye asnjëherë në angazhimin e tij, duke e ngritur dhe avokuar për mbrojtjen e çështjes sonë në institucionet më të larta amerikane. Ai ishte ndër zërat e hershëm dhe të palëkundur në mbështetje të Kosovës, në ditët kur drejtësia për popullin tonë kërkonte guxim dhe vendosmëri”, ka shkruar Kurti, duke i kujtuar takimet me kongresmenin.“Takimet me të ishin gjithmonë të mbushura me vëmendje dhe interes të sinqertë për të ardhmen e vendit tonë.
Liria dhe pavarësia e Kosovës janë sukses i sakrificës së popullit tonë dhe mbështetjes së aleatëve tanë perëndimorë, ku një vend të veçantë zë pikërisht kongresmeni Engel. Ai përfaqësonte bindjen se liria dhe të drejtat e njeriut janë themel i çdo shoqërie demokratike.
Mirënjohja jonë për kontributin e tij në kauzën tonë kombëtare do të mbetet e përhershme. Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe dashamirëve të kongresmenit”, ka shkruar ai.






