Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Menduh Thaçi ka thënë se kryeministrat e Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama nuk kanë asnjë rol në Maqedoninë e Veriut.
Ai ka thënë se të dy aktrojnë. Thaçi në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1 ka thënë se përpjekja e tyre për të pasur rol shkakton dëm të madh te shqiptarët në Maqedoni të Veriut.
“Albin Kurti dhe Edi Rama, luajnë rol, janë artistë, s’kanë kurrfarë ndikimi në Maqedoninë e Veriut. Roli apo aktrimi i Kurtit dhe Ramës në Maqedoni ka pasojën e arenës së gladiatorëve që na krijuan atje pa asnjë nevojë. Mbështetja e njërës palë apo tjetrës ka të bëjë me interesa partiake apo të liderëve për poena politik. Nuk ka të bëjë aspak me realitetin e vërtetë të zemrës së kosovarit dhe shqiptarit për t’i ndihmuar shqiptarët e Maqedonisë. Duhet të jemi serioz, Kosova dhe Shqipëria nuk kanë asnjë takat me ndihmua shqiptarët në Maqedoni, ata vetëm duhet të flasin ndonjë fjalë të mirë”, ka thënë ai në Tëvë1.
Ndryshe në zgjedhjet e fundit nacionale është përfolur shumë ndërhyrja e Kurtit dhe Ramës të cilët mbështetet grupacionet e ndryshme të partive politike shqiptare. Kurti është thënë se mbështeti koalicionin VLEN, kurse Rama BDI-në dhe partitë tjera.