6.1 C
New York
Monday, April 7, 2025

Buy now

Kurti e fundos përfundimisht narrativën e ‘çlirimit të serbëve’: “Ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë”

- Advertisement -

Sërish Serbia! Kësaj here jo më në rolin e të dobëtës përballë një retorike për “forcim të sigurisë në çdo cep të vendit”, por si aktor kyç që minon stabilitetin dhe pengon formimin e institucioneve të reja. Në pamundësi për të siguruar numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë së re, kryeministri në detyrë, Albin Kurti nisi artikulimin e një diskursi të ri, një narrativë që – për çdo eventualitet – i përgatit terrenin.

Në një komunikatë zyrtare të lëshuar pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të thirrur sot nga Kurti, Beogradi zyrtar akuzohet se, përmes Listës Serbe dhe Milan Radoiçiqit, ka ndërhyrë në mënyrë aktive për të ndikuar deputetët e komuniteteve joshumicë e joserbë me qëllim të sabotimit të formimit të institucioneve të legjislaturës së re.

“Në këtë mbledhje u konstatua se përveç ndërhyrjeve të Serbisë në fushatën zgjedhore dhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të 9 shkurtit 2025, përmes Listës Serbe dhe kryeterroristit Millan Radoiçiq si kryetar “de facto” i saj, Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë.” – thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Narrativa që në janar të këtij viti artikulohej për një Qeveri që e shtrinte sovranitetin “cep më cep”, tash e gjen vetën në një kthesë ku Serbia papritmas destabilizon Kosovën, duke ushtruar – sipas komunikatës – “ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë.”

“Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxis tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën. Kjo paraqet ndërhyrje flagrante ndaj sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë. Njëkohësisht, ndaj serbëve të Kosovës, Serbia po ushtron trysni të paparë për pjesëmarrje në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, e që është paralajmëruar për javën që vjen. Regjimi i Vuçiqit po synon eksportim të krizës në Kosovë dhe jo vetëm, teksa vetë ai ndodhet në krizën më të madhe ndonjëherë.”

Në linjë me këtë qasje të re komunikimi, deputeti Salih Zyba u kujdes të artikulojë më tej këtë diskurs: “Lista serbe ka qenë faktor kyç në secilën qeveri deri në ardhjen e Albin Kurtit në pushtet. Qeveria Kurti ka qenë e vetmja qeveri që nuk është varur nga ta e as s’i ka pyetur gjë. Prandaj, e ke veriun e çliruar e sot e për çdo ditë kapën serbë spiunë të BIA-s e të tillë që kanë kryer krime lufte. Përpara, kanë kaluar kah sytë por droja nga rrëzimi i Qeverisë ka bërë që qeveritarët të përbihen. BIA e Serbia nuk kalojnë!” – tha ai.

Gazetari dhe analisti Lirim Mehmetaj nuk pa asgjë tjetër veçse absurditet në komunikatën e lëshuar, duke kujtuar deklaratat e Kurtit për “çlirimin e serbëve të veriut”. “Ky i pat çliru një kohë edhe serbët e Veriut, tash ja paska kap Serbia krejt komunitetet jo shumicë.” – tha Mehmetaj.

Shënjat e distancimit nga pretendimi për “shtrirjes së sovranitetit cep më cep” Kurti i dha rreth tre javë më parë kur në një konferencë për media të mbajtur të dielën, akuzoi Serbinë se kishte ndikuar në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë, duke kanalizuar mbështetje të paligjshme për Listën Serbe.

“Vetë presidenti i Serbisë ka nxitur çdo aktor shtetëror dhe joshtetëror serb të përfshihet në zgjedhjet e Kosovës. Për këtë qëllim rol ekzekutiv ka pasur kryeterroristi Millan Radoiciq, apo njeriu i cili ka marrë detyrat për Kosovën nga presidenti i Serbisë”, tha Kurti.

Kjo shënoi dorëzimin publik të Kurtit nga pretendimet për ‘çlirimin e serbëve nga shantazhet e kërcënimet’. /Nacionale/

Të ngjashme

122,026FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit