“Drejtësi dhe punësim” ishin dy fjalët kryesore të Albin Kurtit gjatë fushatës kur po garonte për kryeministër të vendit. Kur u bë kryeministër, fjala kryesore u bë “dialogu”. Tash me zgjedhjet që po përmenden thuajse çdo ditë, a pritet të jetë “mosmarrëveshja me Serbinë” kryetemë e fushatës së ardhshme elektrorale?
VV-ja, opozita të gjithë po deklarojnë se janë gati për zgjedhje. Qeverisë Kurti pas një viti i përfundon mandati, megjithatë, partitë opozitare veç se kanë nisur të përmendin data.
Në fushatën që e bëri kryeministër të vendit, Albin Kurti kishte garuar me premtimin për drejtësi dhe punësim.
Çka ka bërë Kurti për këtë?
Sipas një shkrimi të mediumit të njohur zviceran “The Neue Zurcher Zeitung”, jo edhe shumë. Krejt këtë, ata e ndërlidhin edhe me dialogun Kosovë-Serbi.
Në një artikull të publikuar të enjten, ky medium shkruante gjërë e gjatë mbi mosmarrëveshjet e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti me fuqitë mbrojtëse të vendit.
Aty mes tjerash përmendej edhe se si shumë “dashamirës” të Kurtit e shohin refuzimin e tij ndaj kërkesave të QUINT-it si dëshmi të integritetit personal.
Pra, sipas “NZZ”, këto veprime kanë të bëjnë edhe me kalkulime të politikës së brendshme:
“Por, kalkulimet e politikës brenda luajnë një rol po ashtu. Në kampanjën elektorale të para tri viteve, Kurti kishte garuar me një agjendë të reformës së politikës sociale. Për shkak se Qeveria ka pak të tregojë në këtë aspekt, mosmarrëveshjet me Serbinë po bëhen të rëndësishme. Stili konfrontues i Kurtit, është goxha i famshëm mes popullit”.
Pas këtyre fjalëve në artikull, do të pasonte edhe një prej fjalive më të rënda për kryeministrin Kurti. Për këtë të fundit, shkruhet se “po e adopoton një streategji si të Vuçiqit”.
“Ironikisht, Kurti po e adopoton një strategji nga armiku i tij kryesor, Aleksandër Vuçiq. Presidenti serb me vite ka shfrytëzuar çështjen e Kosovës për ta larguar vëmendjen nga ankesat në Serbi”.
2021 – Prioritet e Kurtit
Për tri vjet, prioritet kryesor i kryeministrit Kurti është parë dialogu. Brenda kësaj periudhe, ai është pajtuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq për Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e saj.
Në shkurt të vitit 2021, Kurti e kishte përmbledhur me dy fjalë fushatën e tij dhe të Lëvizjes Vetëvendosje:
“Me dy fjalë mund të përmbledhet kjo fushatë e jona, na nevojitet drejtësi dhe punësim. Ama, jo drejtësi veç në gjykata, por drejtësi për tërë shoqërinë”.
Pasi i fitoi zgjedhjet, Kurti kishte folur fjalë edhe më të mëdha. Dialogun e kishte vendosur si prioritet të gjashtë, ose të shtatë:
“Nuk do ta kemi prioritet krijimin e ekipit të dialogut me Serbinë që në të gjitha matjet e opinionit publik dialogu është në vendin e gjashtë e herë në vendin e shtatë. Neve na kanë zgjedhur këta qytetarë dhe u përgjigjemi atyre. Prioritet i kemi drejtësinë dhe punësimin”. /Nacionale/