Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar lidhur me rastin e një aksidenti të shkaktuar nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ndaj një vajze të mitur në rrugën “Vicianum” në Arbëri.
Kurti, në një konferencë për media, ka shprehur keqardhje lidhur me aksidentin, teksa ka thënë se i beson ministres Hajdari dhe shton se nuk ka pasur tejkalim të shpejtësisë.
“Së pari, më lejoni të shpreh keqardhjen time të thellë për atë çfarë ka ndodhur me aksidentin me të cilin është lënduar një fëmijë. Unë nuk kam të tjera informacione përveçse sqarime që ka dhënë ministrja Hajdari. Më duhet të them se i besoj. Ka qenë bashkë me veturë me motrën e saj me aftësi të kufizuara, me ç’kam kuptuar nuk ka shenja në asfalt të shfrenimit, që do të thotë se nuk ka shpejtësi të tejkaluar”, ka thënë Kurti në konferencë.