24.7 C
New York
Tuesday, September 30, 2025

Buy now

Kurti: Dallimet me ShBA-në në raport me Serbinë kanë të bëjnë me taktika, jo me vlera

- Advertisement -

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se partneriteti i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i ndërtuar në mbi tre shtylla: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim.

Ai ka thënë se në diplomaci përballen me dallime, në raport me Serbinë dhe strukturat e saj ilegale në Kosovë, por që këto dallime sipas tij kanë të bëjnë me taktikat dhe jo me vlerat.

“Në diplomaci, herë pas here përballemi me dallime, veçanërisht në lidhje me Serbinë dhe strukturat ilegale që ajo mban në Kosovë. Por këto dallime kanë të bëjnë me taktikat dhe operacionet, jo me vlerat apo qëllimet strategjike. Në këto çështje jemi plotësisht në linjë të njëjtë. Në zhvillim, progresi është po aq i rëndësishëm”, ka thënë Kurti në diskutimin me temë  “Partneriteti në rritje Kosovë – ShBA në mbrojtje dhe zhvillim” në Institutin Hudson.

Kurti ka përmendur investimet në fushën e mbrojtjes dhe armatimin e blerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përmendur rreshtimin që ka bërë Kosova karshi qëndrimit të ShBA-së në fusha të të ndryshme.

“Kosova i është përgjigjur pozitivisht kërkesave të SHBA-së në fusha të tjera, duke përfshirë strehimin e përkohshëm të deri në 50 shtetasve të vendeve të treta në vitin 2025, në përputhje me standardet ndërkombëtare humanitare. Kjo dëshmoi gatishmërinë tonë për të mbështetur prioritetet e përbashkëta globale”, ka thënë Kurti.

Kurti ka folur edhe për përpjekjet e Rusisë dhe Kinës për ndikim në rajon dhe rreshtimin e Serbisë krah tyre.

“Në këtë kontekst, Kosova është një vijë e parë mbrojtëse kundër ndikimit keqdashës. Institucionet tona janë të forta, transparente dhe të lidhura ngushtë me partnerët perëndimorë. Me Kampin Bondsteel, praninë e vazhdueshme të KFOR-it dhe bashkëpunimin tonë dypalësh në rritje me Shtetet e Bashkuara, Kosova është një forcë stabilizuese në Evropën Juglindore. Për këto arsye, ne nuk mund të jemi pasivë. Rreshtimi ynë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n është parimor dhe pragmatik”, ka thënë Kurti.

 

Të ngjashme

Të fundit